1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tone paqësore në Belfast

Ralf Borchardt7 Mars 2007

Irlanda e Veriut zgjedh parlamentin e ri rajonal

https://p.dw.com/p/Ar8e
Pamje nga Londonderry
Pamje nga LondonderryFotografi: AP

Pesë vjet pas shpërbërjes së parlamentit rajonal në Irlandën e Veriut zgjidhet sot parlamenti i ri. Gjithsej 1,1 milionë irlandezoveriorë do të vendosin për përbërjen e parlamentit në Belfast. Objektiv i deklaruar është formimi i një qeverie rajonale nga protestantët pro-britanikë dhe nga katolikët pro-irlandezë. Tentativat për vetadministrim irlandezoverior kanë dështuar disa herë, por këtë radhë gjërat janë ndryshe. Edhe prifti protestan Ian Paisley i njohur si veçanërisht kokëfortë duket i gatshëm për të ndarë pushtetin me katolikët. Nga ana e saj partia katolike Sinn Fein ka hequr dorë nga dhuna dhe e ka njohur policinë dikur të urryer irlandezoveriore. Mbi gjendjen në Irlandën e Veriut:

Në Belfast jo vetëm që ndërtohet gjithandej dhe qyteti i karakterizuar për dekada nga dhuna vizitohet nga gjithnjë e më shumë turistë; por edhe kundërshtarët politikë përdorin një gjuhë të pazakontë paqësore

"Ne nuk jemi nga ata që thonë jo, ne mendojmë pozitivisht, shikojmë përpara, thotë Gerry Adams, partia e të cilit Sinn Fein konsiderohej për shumë kohë si krahu politik i IRA-s që shpërthente bomba, dhe shton: "të gjitha partitë duhet ta vendosin interesin e përbashkët përpara avantazhit personal mendjengushtë."

Edhe vetë prifti protestant ndërkohë 80 vjeçar Ian Paisley duket se është transformuar. I njohur në të kaluarën si "Dr. No" për qëndrimin e tij refuzues, ai thuajse flet me zë të ëmbël në mikrofon në reklamat elektorale të partisë së tij DUP.

"Ditë paqeje dhe prosperiteti na presin, të gjithë ne qytetarët e Irlandës së Veriut", thotë Paisley.

Sipas sondazheve partia protestante pro-britanike e Paisley-t ka shanse të mira që të dalë përsëri në zgjedhje forca më e madhe. Paisley mund të bëhej kryetar qeverie.

Në vend të dytë është partia katolike pro-irlandeze Sinn Fein. Zëvendëskryetari i saj Martin McGuiness do të marrë vendin praktikisht të barazvlefshëm të zëvendëskryeministrit.

Por shumë zgjedhës - si ky protestant në Shankhill Road të tronditur dikur nga trazirat - nuk janë të sigurtë për rezultatin e zgjedhjeve.

"Njerëzit kanë votuar dy herë dhe të dyja herët parlamenti rajonal është shpërbërë. Ka shumë pasiguri."

Dhe një protestant tjetër pyet me dyshim.

"A mund ta përfytyroni vërtet Paisley-n me McGuiness-in në bashkëpunimin e përditshëm?"

Qeveritë në Londër dhe Dublin përpiqen të ushtrojë sa më shumë trysni mbi kundërshtarët në në Belfast. Pak para përfundimit të periudhës në detyrë Tony Blair kërkon të hyjë në librat e historisë me një zgjidhje paqeje, kryeministri irlandez Bertie Ahern kërkon gjithashtu një sukses në ndërmjetësim. Kërcënimi i tij: po të mos jetë formuar qeveria deri më 26 mars, puna merr fund.

"Si edhe vitet e kaluara Irlanda e Veriut do të qeverisej që nga Londra." - thotë Ahern.

Një katolik në famëkeqen Falls Road në Belfastin Perëndimor mendon se ky plan B nuk vlen për asnjë parti.

"... Pas zgjedhjeve do të ketë një rrëmujë dramatike dhe pastaj do të formohet qeveria. Se sa do të mbajë, kjo është pyetjae mirëfilltë."

Ka gjasa që afati për formimin e qeverisë, 26 marsi, të shtyet edhe një herë, thotë politologu Paul Bew në Universitetin e Belfastit Queens.

"Ky është një rast unik, thonë shumë irlandezoveriorë. Në qoftë se nuk e arrijnë këtë herë, atëherë nuk do të kemi qeveri tonën për të paktën një dekadë."