1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Trafikantët shesin shpresë"

Christoph Hasselbach29 Gusht 2015

Pas tragjedisë në Austri evropianët duan të përqendrohen në luftimin e bandave të trafikantëve. Pse e kanë kaq të vështirë, këtë e shpjegon Andrea Di Nicola, kriminolog në Universitetin e Trentos.

https://p.dw.com/p/1GNfO
Mesdhe, refugjate
Fotografi: OOC Opielok Offshore Carriers

DW: Zoti Di Nicola, pas gjetjes makabre të viktimave në një kamion në Itali policia thotë se ka arrestuar tri trafikantë. E besoni që këta janë vërtetë organizatorët?

Andrea Di Nicola: Unë nuk e di nëse të arrestuarit janë drejtues apo kishin një pozicion fare poshtë. Por ajo që dimë ne është: kur arrestojmë trafikantë në kufi, atëherë kemi të bëjmë me peshqit e vegjël. Peshqit e mëdhenj rrinë në sfond. Pra kur arrestojmë një shofer dhe e dënojmë nuk mund të flasim për një sukses të madh.

Kemi të bëjmë me një biznes të madh. A mund të thuhet sa njerëz trafikohen dhe sa para fitohen?

Kombet e Bashkuara flasin për dhjetë miliardë dollarë. Në bazë të kërkimeve tona ne besojmë se vetëm në rrugën e Mesdheut fitohen gjashtë deri tetëqind mijë dollarë. Dhe ne flasim për mijëra dhe qindra mijëra "klientë" - më falni për këtë fjalë, po trafikantët me të cilët kemi folur flasin për "klientë".

Po refugjatëve u duhen trafikantët, që të arrijnë të vijnë në Evropë, ata janë klientët, apo jo?

Pikërisht ky është problemi. Ne kemi folur me refugjatë dhe me trafikantë. Trafikanti thotë: "Unë jam i vetmi që i ndihmoj këta njerëz të shkretë. Unë shes ëndrra. Unë shes shpresë. E di se disa prej tyre vdesin, po ata më kanë vetëm mua." Dhe kur flet me refugjatë lufte dhe migrantë ekonomikë, ata të thonë: "Po të rri në shtëpi, do të vdes. Vetëm po t'i përdor shërbimet e këtij trafikanti kam një shans. E di, edhe mund të vdes në këtë punë, po është më mirë që të vdes në rrugë e sipër se sa në shtëpi. Agjenti im është një njeri i mirë." Unë nuk e kundërshtoj se është një biznes i dhunshëm dhe se trafikantët janë kriminelë. Por vendimtarja është: ky është një treg, i cili ushqehet nga kërkesa e jashtëzakonshme e njerëzve të dëshpëruar. Neve na duhet një vizion, na duhet diçka e re.

Po çfarë mund të bëjë Evropa, ne nuk mund t'i hapim pa e zgjatur kufijtë për të gjithë?

Për momentin nuk po bëjmë shumë. Trafikantët e shfrytëzojnë ngadalësinë dhe dobësinë e Evropës. Kur folëm me trafikantët, ata qeshën për Evropën. "Muret tuaja janë mundësitë tona të biznesit", thanë ata. Unë nuk them se duhet t'i hapim kufijtë, por ka një zonë gri midis "të hapim gjithçka" dhe "të mbyllim gjithçka".

Njerëzit që kanë të drejtë të shkojnë në Evropë, do ta bëjnë. Ne do t'u japim atyre azil, të cilët kanë të drejtë ta marrin. Megjithë këtë të drejtë, ata shfrytëzojnë trafikantët për të ardhur në Evropë. Pse nuk ua prishim këtë biznes trafikantëve?

Po me refugjatët ekonomikë, çfarë të bëjmë?

E di që politikisht kjo është e vështirë. Po këtu ka një sërë hapash të vegjël, të cilët në fakt janë të mëdhenj. Një problem politik është që mungon një politikë e përbashkët evropiane migrimi. Të gjithë këta refugjatë në fakt nuk janë shumë, krahasuar me të gjithë popullatën e Evropës. Megjithatë janë shumë që flasin për një eksod. Kjo thjesht nuk është e saktë. Ne mund ta përballojmë këtë problem vetëm po të merremi së bashku me të. Kjo nuk do të thotë se do t'i lëmë të gjithë të hyjnë. Kjo nuk do të ndodhë assesi. Po nëse rrimë pa bërë asgjë, bëjmë pikërisht atë që duan trafikantët.

Andrea Di Nicola ist kriminolog në Universitetin e Trentos në Italinë e Epërme dhe ka bërë studime intensive për temën e trafikimit të njerëzve.