1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tragjedi në Ohër

Bahri Cani5 Shtator 2009

Sipas të dhënave më të reja të pakonfirmuara, në tragjedinë e fundosjes së anijes “Ilinden”, në ujrat e liqenit të Ohrit, kanë humbur jetën 22 persona.

https://p.dw.com/p/JT0f
Ekipet e shpëtimit përpiqen...Fotografi: MIA

Policia dhe autoritetet vendore kanë konfirmuar deri tani vdekjen e 19 vetëve, ndërkohë që ekipet e shpëtimit po vazhdojnë aksionet e kërkimit dhe nxjerrjes së viktimave. Supozohet se në anijen turistike kanë, udhëtuar 73 pasagjerë, turistë nga Bullgaria.

“ Ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar trupat e tre turistëve që për momentin llogariten si të humbur”, është shprehur Ministrja e Punëve të Brendëshme, Gordana Jankullovska.

Shkak për fundosjen e anijes thuhet se mund të jetë mbingarkesa me udhëtarë. Qeveria maqedonase ka paralajmëruar një seancë të jashtëzakonshme. Ajo ka shpallur ditë zie, ndërkohë që në Shkup dhe Ohër pritet të mbërrijë edhe Presidenti i Bullgarisë, Georgi Parvanov.

Homologu i tij maqedonas Gjorgji Ivanov gjatë një telefonate e siguroi se vendi i tij do të bëjë të gjitha që janë në mundësinë e Shkupit zyrtar, për të zbutur pasojat e kësaj tragjedie.

Anija “Ilinden” është e regjistruar për të transportuar 43 udhëtarë, ndërsa në momentin e tragjedisë në te ka pasur 73 udhëtarë, thonë burime nga policia.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski dha dorëheqje nga funksioni, si akt moral pas tragjedisë së anijes në ujërat e Liqenit të Ohrit.

“Është kjo tragjedia më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në ujrat e Maqedonisë” ka thënë ministri Janakievski.

Autor Fatos Musliu

Redaktoi: Bahri Cani