1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tragjedia në Krefeld - digjen 21 majmunë dhe kafshë të tjera

2 Janar 2020

21 majmunë janë djegur si pasojë e një zjarri gjatë festimeve të Vitit të Ri në Krefeld të Gjermanisë. Policia ka kumtuar se ndërkohë janë kapur tre të dyshuara - nëna me dy vajzat e saj.

https://p.dw.com/p/3Vc0Q
BdT Gedenkkerzen Nach dem Brand im Krefelder Zoo
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Forstreuter

Policia në Krefeld njoftoi, se ndërkohë kanë filluar hetimet kundër një gruaje 60-vjeçare dhe dy vajzave të saj, të cilat u paraqitën vet në polici. Dyshohet se ato janë fajtore për tragjedinë e madhe në kopështin zoologjik në Krefeld, ku u dogjën të paktën 21 majmunë dhe shumë kafshë të tjera. Zjarri, sipas të gjitha gjasave, ka shpërthyer pas hedhjes së ballonëve prej letre me dëshirat për Vitin e Ri, që kanë përfunduar në strehën e majmunëve. Në vlersërimet e deritanishme thuhet, se kanë  humbur jetën rreth 30 kafshë të ndryshme. Policia njofton se fishekzjarret e prodhuara në Kinë janë blerë në internet. Nëna dhe dy të bijat e saj fajësohen për shkaktimin pa dashje të zjarrit, një vepër që mund të dënohet me heqje lirie deri në pesë vjet.

Deutschland Brand in Krefelder Zoo - alle Tiere im Affenhaus tot
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Forstreuter

Ditë e pikëllimit të madh

Dita e sotme agoi me qindra qirinj të vendosur para kopështit zoologjik në Krefeld, afër Këlnit, i cili është shkatërruar pothuajse tërësisht nga flakët. Në këtë tragjedi ndërruan jetë 21 majmunë. Një tragjedi e ngjashme nuk ka ndodhur kurrë në Gjermani. "E pabesueshme", ishte gjithçka mund të thoshte fillimisht drejtori i kopështit Wolfgang Dreßen. Më pas ai shtoi, se "kjo është një ditë e pikëllimit të madh për të gjithë të punësuarit në këtë kopësht. Dhimbja është tepër e thellë".

Vetëm pesë minuta pas shpërthimit të zjarrit mbërritën njësitë e zjarrfikësve, por as ato nuk kanë mundur t'i shpëtojnë kafshët. Pas përfundimit të aksionit në shesh doli e vërteta tepër e hidhur: Çifti i shimpanzave Bally dhe Limba e kanë mbijetuar mrekullisht këtë tragjedi, po ashtu edhe familja shtatëanëtarëshe e gorillave "Kidogo". Të gjitha kafshët e tjera i ka gëlltitur flaka e zjarrit të pamëshirshëm.

Krefeld | Trauerversammlung nach Brand am Affenhaus im Krefelder Zoo
Fotografi: DW/D. Regev

Nuk e mbijetoi as gorilla më e vjetër

48-vjeçari Massa dhe partnerja e saj 46-vjeçarja Bomu, nuk e kanë mbijetuar këtë tragjedi. Massa ishte gorilla më e moshuar në ndonjë kopësht zoologjik në Gjermani. Në Krefeld ajo ka jetuar që nga vitit 1975. Tragjedinë nuk e ka mbijetuar asnjë nga orangutanët me origjinë nga Borneo si dhe shumë kafshë të tjera.

Ky kopësht është ndërtuar në vitin 1938. Atje punojnë rreth 75 persona. Ndërsa në vit e vizitojnë rreth 400.000 vetë. Kryetari i bashkisë së Krefeldit foli për një tragjedi të paparë për tërë qytetin. Kjo tragjedi ka rindezur debatin për ndalimin e përdorimit të fishekzjarreve nga persona privatë.