1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Transparenca e financimit të fushatës elektorale

Aida Cama19 Mars 2009

Komisioni për ndalimin e korrupsionit në Maqedoni vlerëson se raportet financiare të partive politike për financimin e fushatës elektorale janë të cunguara dhe jo çdo herë transparente.

https://p.dw.com/p/HFNF
Vajzë duke hedhur votën
Zgjedhjet e kaluara në MaqedoniFotografi: DW

Kodi zgjedhor në Maqedoni i detyron të gjitha subjektet politike, që janë përfshirë në fushatën elektorale që të tregojnë në mënyrë transparente burimin e financimit të fushatës. Komisioni për ndalimin e korrupsionit ka përgatitur një plan operativ për vëzhgimin e çdo elementi korruptiv në fushatën elektorale, nga ana e partive politike.

Vetëm në pjesën e parë të fushatës deri tek Komisioni antikorrupsion kanë arritur 360 ankesa të qytetarëve. “Bëhet fjalë për ankesa që kanë të bëjnë me shpalljen e konkurseve për punësim në institucione shtetërore e gjithe kjo me qëllim të arritjes së pikëve politike. Ankesat e tjera kanë të bëjnë me ndërtimin e objekteve dhe projekteve infrastrukturore gjatë fushatës elektorale,” thotë Ilmi Selami nga Komisioni për pengimin e korrupsionit. “Obligim ligjor i pjesëmarrësve në fushatë është të paraqesin raporte për harxhimet e bëra gjatë fushatës. Në fakt ata s'kanë probleme për dhënien e raporteve financiare, por problemi qëndron në atë se raportet janë jo të plota, “ thotë Ilmi Selami .

Zëdhënësi i partisë Demokracia e Re, Arjanit Hoxha, thotë se në bazë të ligjit për financimin e partive politike dhe rekomandimeve të Komisionit antikorrupsion, të gjitha donacionet dhe mjetet financiare të grumbulluara gjatë fushatës, kjo parti i tregon në mënyrë trasparente dhe të njëjtat do t`i dëshmojë pas përfundimit të zgjedhjeve të 22 marsit. “Llogaritë e hapura bankare janë të kontrollueshme dhe janë transparente për kontrollin e institucioneve që të shohin se nga vijnë lekët. Financimi i fushatës sonë bëhet kryesisht nga donacionet, anëtarsia dhe afaristët që duan të ndihmojnë dhe përkrahin idetë e Demokracisë së Re,” vlerëson Arjanit Hoxha, zëdhënës i Demokracisë së Re. Gjithnjë sipas tij, në parti nuk ka lëvrim të mjeteve financiare të cilat duhet t`i fshihen opinionit.

Ilmi Selami nga Komisioni antikorrupsion vlerëson se pjesëmarrësit në fushatë elektorale janë jo çdo herë të gatshëm të bashkëpunojnë në bërjen publike të grumbullimit të mjeteve financiare për fushatë. “Komisioni antikorrupsion numëron 7 anëtarë dhe është pothuajse e pamundshme që gjithçka të kontrollohet në këtë periudhë të bujshme zgjedhore. Por në aspektin e pengimit të tentativave korruptive, besoj se ja kemi arritur qëllimit," thotë Ilmi Selami.

Në kodin zgjedhor, parashihen dënime me heqje lirie për ata pjesëmarrës në fushatë të cilët nuk tregojnë burimet financiare të fushatës elektorale.

Autor: Fatos Musliu /Shkup

Redaktoi: Aida Cama