1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Trauma dhe mungesa e shtetit çuan në refuzimin e familjes Katuçi për të takuar ekipin e KE'

21 Gusht 2009

Në Tiranë vazhdon të diskutohet refuzimi i familjes Katuçi, në fshatin Rripe në rrethin e Matit, për të biseduar me ekipin e Këshillit të Europës, të kryesuar nga senatori zviceran Dick Marty.

https://p.dw.com/p/JG79
Ndëshkimi i dorasve në luftën e Kosovës përfshin ende sot depërtim në rrjete të panjohura të këmbimit të informacionit
Ndëshkimi i dorasve në luftën e Kosovës përfshin ende sot depërtim në rrjete të panjohura të këmbimit të informacionitFotografi: DW

Ky ekip erdhi në Shqipëri me miratimin e qeverisë së Tiranës, për të hetuar lidhur me pretendimet serbe se shtëpia e kësaj familjeje u përdor si klinikë për të transplatuar organet e civilëve serbë, të rrëmbyer nga njësitë e UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Pas kësaj ngjarjeje, autoritetet e Tiranës dhe zyra lokale e Këshillit të Europës janë shumë të rezervuar për të informuar lidhur me ecurinë e hetimeve, fazën në të cilën ato ndodhem dhe mbi ç' bazë ekipi i hetuesve të KE do të hartojë raportin për sa kohë nuk vizitoi familjen Katuçi.

Qemal Minxhozi, deputet në fshatin Rripe, në një intervistë telefonike për DW mendon se refuzimi i familjes Katuçi erdhi nga revolta për njollosjen e emrit të saj për veprime, të cilat nga hetimet në vitit 2004, doli se ajo nuk i ka kryer, por edhe si pasojë e mosfunksionimit të shtetit.

DW: Zoti Minzhozi, cili është komenti juaj për refuzimin, që iu bë ekipit të Këshillit të Europës në fshatin Rripe të rrethit të Matit, ku ju jeni deputet?

Q. Minzhozi: Familja Katuçi nuk duhej të kishte refuzuar takimin. Por mosekzistenca e shtetit e ka bërë atë të marrë këtë vendim. Me pritjen e senatorit zviceran Dick Marty kanë qenë të përfshira disa institucione: Parlamenti, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, institucione që mund ta kishin organizuar këtë vizitë shumë më mirë. Jam informuar që prania e shtetit në këtë rast ka qenë inekzistente. Por megjithatë them se do të kishte qenë më mirë që ekipi i te drejtave të njeriut nga KE të ishte lejuar të fliste me familjen Katuçi. Pas asaj që ndodhi janë të gjitha gjasat që të ngrihet një furtunë në gotë... Mendoj se po të ishte vepruar më me kujdes nga institucionet shtetërore, ky mision do të kishte vajtur për mrekulli.

DW: A mund të realizohet tani ky mision, nëse familja lajmërohet në kohë dhe bashkë me hetuesit e KE janë edhe prokurorët shqiptarë?

Q. Minzhozi: Nuk ka asgjë të pamundur nëse ka organizim. Kini parasysh që është një familje e traumatizuar dhe që ka shumë të ngjarë ta ketë marrë vesh për ardhjen e ekipit në shtëpinë e saj vetëm 4- 5 orë më përpara. Shteti duhet të ishte aktiv, të vepronte. Dhe kjo nuk ka ndodhur.

DW: Zoti Minzhozi, në vitin 2004 hetues të Kombeve të Bashkuara kërkuan prova në shtëpinë e familjes Katuçi që të dëshmonin se aty në vitin 1999 mund të ishte bërë transplatim organesh të civilëve serbë. Ajo që u publikua ishte se gjetën garza, shiringa, njolla gjaku. Por këto prova nuk ishin te mjaftueshme dhe çështja rihapet. Si e kuptoni ju këtë rikthim të saj, pesë vite më vonë?

Q. Minzhozi: Në cdo shtëpi mund të gjesh një shiringë peniciline apo medikamente të tjera. Për mua dhe për këdo me një mendje të shëndoshë është e pamundur të dërgohen 200- 300 persona në një shtëpi dhe aty të bëhen transplant organesh, siç pretendojnë serbët. Kjo është një gënjeshtër e madhe, është një absurditet. Eshtë një gënjeshtër që mbahet në këmbë vetëm nga qarqe të caktura serbe, që duan të nxjerrin dhjamë nga pleshti, që duan të viktimizojnë veten, të cënojnë pavarësinë e Kosovës. Është një gënjeshtër që nuk ka asnjë bazë reale.

DW: A mund të përshkruani pak shtëpinë e familjes Katuçi, pasi ju keni qenë atje disa herë?

Q. Minzhozi: Po. Deri para 3-4 vitesh ka qenë shtëpia e fundit e fshatit Rripe, sepse nuk kishte fare rrugë. Aty ka patur mungesë të ujit, të dritave. Shtëpia nuk është thellë, siç thuhet, por vetëm 20 km larg Burrelit dhe 8 km larg rrugës nacionale. Është një shtëpi me katër dhoma, ka një kat përdhes, që në atë kohë ka patur bagëti, pula etj. dhe vetëm një dhomë të saktë ku priten miqtë. A mund të kryheshin transplatim organesh në një shtëpi të tillë? Kjo është absurde. Pastaj nga viti 2004 kur u bë hetimi i parë nga Kombet e Bashkuara deri vitin e kaluar kur pretendimet serbe u rishfaqën në librin e Karla del Pontes, ish-kryeprokurores së Gjykatës së Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, zonja del Ponte kishte kohë boll të bënte hetime. Por kjo nuk ndodhi . Madje

nga hetimet e vitit 2004 ajo nuk përpiloi as një raport. Ndonëse familja Katuçi u hapi hetuesve të Kombeve të Bashkuara dyert e shtëpisë së tyre të varfër, që sapo përshkrova. Do të kishte qenë mirë që ata kishin hapur edhe kësaj here...por duhet marrë parasysh edhe mentaliteti, trauma e familjes.

Autor: Ani Ruci /Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi