1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Treshja ndërkombëtare informon palët

Bekim Shehu,aca / Prishtinë 3 Dhjetor 2007

Treshja e Grupit të Kontaktit, ndërmjetësuese në bisedimet shtesë Prishtinë- Beograd, do të arrijë sot në mbrëmje nga Beogradi në Kosovë.

https://p.dw.com/p/CWIl
Trojka në Kosovë, 11 gusht 2007
Trojka në Kosovë, 11 gusht 2007Fotografi: AP

Vizita rezalizohet për të informuar palët me pjesët bazë të raportit, të cilin treshja do t`ja paraqesë më 10 dhjetor Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun. Dokumenti mbi rrjedhën e bisedimeve të deritashme Prishtinë Beograd, para dërgimit në Kombet e Bashkuara, do t'i prezantohet në Vjenë të gjitha vendeve-anëtare të Grupit të Kontaktit për Kosovën. Më 19 dhjetor dokumenti do të debatohet në Këshillin e Sigurimit në një sesion të veçantë për Kosovën.

Nuk ka obsione shtesë

I ngarkuari i BE-së në bisedimet shtesë Prishtinë Beograd, Volfgang Ischinger, u ka thënë mediave serbe para se të niset për në rajon, se pas 120 ditë negociatash nuk ekzistojnë oposione shtesë, që do të çonin drejt zgjidhjes me kompromis të statusit të Kosovës. Ai ka thënë se i mundshëm tani është një skenar tjetër sipas të cilit, Kosova do të kërkonte pavarësinë pa pajtimin e Beogradit.

Pavarësi pa aprovim të Beogradit

Këtë pohim të ambasadorit Ischinger e konfirmojnë edhe udhëheqësit politik kosovarë, të cilët thonë se pas paraqitjes së raportit të treshes tek Sekretari i Përgjithshëm, Kosova do të lëvizë drejt shpalljes së pavarësisë dhe do të kërkojë njohje ndërkombëtare. Çdo veprim i Prishtinës zyrtare, thonë udhëheqësit kosovarë do të jetë i kordinuar mirë me SHBA-të dhe BE-në.