1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

220409 EU Türkei

22 Prill 2009

Komisari i zgjerimit të BE, Olli Rehn i kujtoi Turqisë se garantimi i "lirive bazë" dhe "sekularizimi demokratik" janë parakushtet për anëtarësimin e vendit në BE. BE dhe Turqia bënë bilancin paraprak të negociatave.

https://p.dw.com/p/HbsB
Flamujtë e BE-së dhe Turqisë.
Bashkimi Evropian kërkon me këmbëngulje shpejtimin e ritmit të reformave në Turqi.Fotografi: AP

Përfaqësuesit e BE dhe të Turqisë vetëkuptohet që pas takimit të tyre në Pragë ishin përgatitur shumë mirë për një pyetje të gazetarëve: ministrat, komisarët dhe gazetarët e mbajnë mend mirë se çfarë tha rreth dy javë më parë presidenti i SHBA, Barak Obama për Turqinë. Sipas mendimit të tij, Turqia e ka vendin në BE. Edhe Obama e vizitoi kryeqytetin çek, në kuadër të udhëtimit të tij në Evropë. Tani atje përfundoi takimi midis delegacioneve të BE-së dhe Turqisë. Të dyja palët theksuan para gazetarëve, kryesisht interesat e përbashkëta. Reporterët e pyetën ministrin e jashtëm të Çekisë dhe kryetarin e radhës të BE, Karel Shvarcenberg (Schwarzenberg) menjëherë për angazhimin e Obamas për Turqinë. Shvarcenbergu kujtoi se synimi i këtij takimi ishte përshpejtimi i negociatave të anëtarësimit të Turqisë me BE: "Pikërisht për këtë arsye jemi këtu. Mendoj se apeli i presidentit Obama është shumë i këndshëm, dhe me të ai gjen dyer të hapura."

Komisari i zgjerimit të BE, Olli Rehn.
Komisari i zgjerimit të BE, Olli Rehn, i kujtoi Turqisë se garantimi i "lirive bazë" dhe "sekularizimi demokratik" janë parakushtet për anëtarësimin e vendit në BE.Fotografi: AP


Nga pikëpamja diplomatike më konkretisht u shpreh komisari i zgjerimit të BE-së, Olli Ren (Rehn). Ai gëzohet që Obama punon në të njëjtin drejtim si BE, tha ai. Por, Olli Ren ishte shumë i qartënë disa drejtime të tjera. Ai e inkurajoi qeverinë turke që të pajtohet me Armeninë dhe kërkoi reforma më të shpejta: "Ne e nxisim Turqinë që të ripërtërijë kushtetutën si dhe të forcojë liritë dhe të drejtat e qytetarëve të saj. Këto reforma nuk janë të rëndësishme vetëm për procesin e anëtarësimit, por edhe për Turqinë."

Përfaqësues të BE-së dhe Turqisë në Pragë.
Përfaqësues të BE-së dhe Turqisë bënë në Pragë, bilancin paraprak të negociatave të anëtarësimit.Fotografi: picture-alliance/ dpa


Ministri i jashtëm turk, Ali Babaçan kërkoi nga ana e tij, që në kuadër të negociatave të mbyllen shpejt kapitujt e caktuar. Ai kundërshtoi kritikat për zvarritjet me qëllime politike. Deri tani, negociatat janë hapur në 10 sektorë. Vetëm kapitulli i Shkencës dhe Kërkimeve Shkencore konsiderohet i përfunduar: "Procesi i negociatave, pranimi i Turqisë në BE u vendos njëzëri nga të gjitha shtetet e BE-së. Ne vërejmë herë pas here përfytyrime të ndryshme të shteteve anëtare për arritjet përfundimtare, që duhen realizuar. Kjo ndryshon, kryesisht prej zgjedhjeve dhe ndryshimi të qeverive dhe të presidentëve, por kjo është gjë normale."


Ministri i jashtëm turk kishte parasysh me këtë, rezistencën e presidentit francez, Nikolas Sarkozi (Sarkozy). Ai është kundërshtar i deklaruar i anëtarësimit të Turqisë në BE. Qeveria suedeze do të marrë në verë presidencën e radhës të BE-së. Prandaj, në takim mori pjesë edhe ministri i jashtëm i Suedisë, Karl Bildt. Ai tha se pas SHBA-së, Turqia është për nga rëndësia, partneri i dytë strategjik i BE-së.


Autor: Gerwald Herter / Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama