1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tronditet qeveria e Tiranës

Ani Ruci / Tiranë18 Mars 2008

Kryeministri Berisha pranon dorëheqjen e Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu por deklaron se ai nuk do ta japë. Tri ditë pas shpërthimit tragjik të predhave në Gërdec të Vorës, vala goditëse kap qeverinë e Tiranës

https://p.dw.com/p/DQTw
Gërdec
GërdecFotografi: AP

Kryeministri Berisha pranoi mbrëmë dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili në deklaratën e rastit e quajti atë "një akt të përgjegjësisë së tij morale por jo ligjore" për katastrofën që vrau 16 vetë, plagosi më shumë se 300 të tjerë dhe ktheu në gërrmadha shtëpitë e banorëve të zonës.

Gërdec shpërthimit
Gërdec shpërthimitFotografi: AP

Por kryeministri Berisha la të kuptohet qartë se ai vetë nuk mendon të japë dorëheqjen. Përkundrazi ai tha mbrëmë se " mendoj në çdo moment sesi të kufizoj në maksimum pasojat e asaj fatkeqësie të rëndë. Jam tërësisht i vendosur t´u përgjigjem të gjitha pasojave të dëmit."

Opozita dhe banorët e fshatit Gërdec të Vorës, fajësojnë qeverinë për shpërthimin e predhave dhe pasojat e tij katastrofike. Por kryeministri Berisha tha mbrëmë se ai nuk ishte në dijeni se fabrika e çaktivizimit të municioneve që vinin nga gjithë Shqipëria në Gërdec, ishte shumë pranë një zone të banuar.

Ushtria evakuon të plagosurit në Gërdec
Ushtria evakuon të plagosurit në GërdecFotografi: AP

Sa për kërkesën e opozitës për dorëheqjen e tij kryeministri e quajti atë mbrëmë të natyrshme për një shoqëri demokratike si Shqipëria por la të kuptohet se ajo nuk e detyronte atë të japë dorëheqjen. "Opozita në çdo kohë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit mund të paraqesë të gjitha kërkesat dhe mocionet për kryeministrin, për qeverinë. Mund ta përdorin aksidentin edhe për qëllime politike pasi Shqipëria është një vend i lirë."

Banorët e Gërdecit, të mbetur pa strehë dhe me njerëzit e dashur të vdekur apo të mbetur ende nën rënojat e shpërthimit, paralizuan dje për me shumë se 5 orë trafikun në autostradën Tiranë - Durrës dhe kërkuan largimin e gjithë qeverisë.

Kryeministri Berisha tha mbrëmë se protesta e tyre po politizohej dhe u premtoi se do të rindërtonte sa me shpejt shtëpitë e shkatërruara.

Shpërthimi ndodhi të shtunën e kaluar kur punëtorët po lëviznin municionet e vjetra dhe të dala jashtë përdorimit, të depozituara në bazën e Gërdecit për t´i çaktivizuar ato. Ata ndanin veç e veç lëndën plasëse të predhave nga pjesa e tyre metalike, të cilat më pas shiteshin prej kompanisë shtetërore që i kishte punësuar.

Bilanci i viktimave deri tani është 16 të vdekur dhe 9 të humbur. Në Tiranë hetimet e deritanishme kanë hedhur dyshime për afera korruptive dhe shfrytëzim të punës në të zezë madje edhe të fëmijëve të fshatit Gërdec.

Qeveria e Tiranës filloi para një viti çktivizimin e municioneve të dala jashtë përdorimit, kryesisht sovjetik edhe kineze, të grumbulluara në dekadat e regjimit komunist. Në Shqipëri ka rreth 110 mijë ton municione të tilla. Nxjerrja e tyre jashtë përdorimit është një nga kushtet që Shqipëria duhet plotësojë për të marë një ftesë anëtarësimi për në NATO, që shpreson ta marrë në prill, nga Samiti i Bukureshtit.



Kaloje seksionin tjetër Zbulo më shumë