1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trupa e drejtuar nga SHBA do të qëndrojë edhe në 2006 në Irak

Sandrina Mahlberg31 Dhjetor 2005

"Koalicioni i të vullnetshmëve", që nën drejtimin e ShBA mbështeti luftën në Irak si në aspektin politik ashtu edhe në atë ushtarak, po tkurret

https://p.dw.com/p/Aqra
Pamje nga jeta e përditshme në Bagdat - gra që vajtojnë
Pamje nga jeta e përditshme në Bagdat - gra që vajtojnëFotografi: AP

Bush: "Unë e di, që në Uashington ka shumë zëra kundër. Disa thonë, "kthejini menjëherë ushtarët". Por ky është një gabim i madh. Do të ishte vërtetë një gabim fatal dhe një mesazh i keq për trupat tona. Do të ishte një mesazh i keq edhe për armiqtë tanë si edhe për irakianët." Presioni në politikën e brendëshme në ShBA po rritet nga dita në ditë. Amerikanët kërkojnë kthimin e trupave nga Iraku. Presidenti Bush duhet të dorëzohet përpara këtyre kërkesave. Por njëkohësisht ai duhet të ketë në dispozicion në Irak forca të mjaftueshme të armatosura. Një sipërmarrje kjo jo e thjeshtë. Pasi "koalicioni i të vullnetshmëve" po shpërbëhet. Kryeministri spanjoll, Hoze Luiz Zapatero iu përmbajt premtimit të tij elektoral dhe qysh në prill 2004 i tërhoqi të gjitha trupat. Qysh nga ajo kohë koalicionit po i humbet qëndresa. Republika Domenikane, Hondurasi dhe Filipinet menjëherë paskëtaj ndoqën të njëjtin kurs. Forcat e armatosura të Italisë do të shkurtohen deri në fund të janarit, nga 2900 do të qëndrojnë në Irak vetëm 2600 syresh. Gjithashtu kryeministri italian, Silvio Berluskoni, deri në fund të 2006 do të tërheqë të gjitha trupat italiane nga Iraku.

Edhe vet Bushi deklaroi reduktimin e trupave. Deri pranverën e vitit 2006 do të tërhiqen dy nga 17 brigadat e ushtrisë së ShBA. Arësyeja: qeveria irakiane ka bërë përparime në sigurimin e gjendjes në vend. Ministrja e jashtme, Kondoliza Rajs: "Trupat irakiane po aftësohen gjithnjë e më shumë. Por kjo nuk do të thotë, që tani s´ka më nevojë për trupat e koalicionit. Ka një sërë gjerash që ende nuk është në gjendje t´i zgjidhë e vetme qeveria irakinane. Megjithatë është e sigurt që do të shkurtohet numri i trupave të koalicionit, sepse irakianët mund t´i zbatojnë vetë shumë funksione."

Britania e Madhe, aleati i ngushtë i ShBA në luftën e Irakut me 8.000 ushtarë përbën kontigjentin e dytë për nga madhësia në Irak. Kryeministri Toni Bler, sheh të jetë përmirësuar gjendja në Irak. Por ai ndonëse nuk e përjashton mundësinë e zvogëlimit të këtij kontigjenti, thekson: "Ne do të qëndrojmë, derisa të jetë përmbushur detyra."

Ndërsa Polonia do t´i lërë edhe një vit më shumë nga ç´ish planifikuar 1.500 forcat e veta në Irak. Edhe Japonia e ka shtyrë deri në fund të 2006 mandatin e trupave të saj. E pra edhe në 2006 trupat do të mbeten në Irak. Për Bushin është vetëm çështje kohe, derisa qeveria irakiane të dëshmohet si demokraci që mund të mbahet në forcat e veta: "Qeveria irakiane dhe e ardhmja e vendit tuaj shumë shpejt do të jetë në duart tuaja."