1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Trysni në rritje ndaj Ukrainës

2 Maj 2012

Trysnia ndaj Ukrainës për shkak të trajtimit të politikanes opozitare Julia Timoshenko po shtohet. Por bojkoti i ndeshjeve në Ukrainë nuk është rruga e duhur.

https://p.dw.com/p/14nvG
Julia Timoshenko
Julia TimoshenkoFotografi: picture-alliance/dpa

Zëdhënësi i grupit parlamentar të konseratorëve gjermanë për politikën e jashtme Philipp Mißfelder deklaroi se po shqyrtohet mundësia e një padie në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut. "Ukraina ka bërë shumë për t'u pranuar në Këshillin e Evropës dhe tani që është brenda duhet të respektojë rregullat e lojës. Kjo vlen në veçanti për të drejtat humane", deklaroi Mißfelder për kanalin e dytë gjerman ZDF.

Kampionati Evropian në Ukrainë
Rrezikohen ndeshjet e Kampionatit Evropian në UkrainëFotografi: picture-alliance/dpa

Më parë sekretari i përgjithshëm i liberalëve gjermanë (FDP), Patrick Döring, kishte kërkuar që ndeshjet e planifikuara të zhvillohen në Ukrainë të zhvendosen në Poloni. "Kemi 31 ndeshje dhe tetë stadiume. Sigurisht mund të garantojmë që sa më shumë ndeshje të zhvillohen në Poloni. Ekipi ynë kombëtar këndon 'Unitet, drejtësi dhe liri' dhe unë nuk arrij të përfytyroj që kjo të këndohet në një stadium, jashtë mureve të të cilit kjo nuk arrihet", pohon ai.

Indinjata ndaj kërkesave politike

Por presidenti i Federatës Olimpike Gjermane (DOSB) Thomas Bach reagoi me indinjatë të thellë ndaj këtyre kërkesave nga politika. Ky nuk është opsion, tha Bach: "Ne nuk do të diskutonim me kaq intensitet situatën e të drejtave të njeriut në Ukrainë siç bëjmë tani, nëse atje nuk do të zhvillohej Kampionati Evropian i Futbollit."

Edhe ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle deklaroi se bojkoti do të ishte mjeti i gabuar: "Unë natyrisht i kuptoj sportdashësit të cilët janë të zhgënjyer dhe nuk arrijnë të përfytyrojnë se si mund të zhvillohet një kampionat futbolli në një mjedis të tillë. Por unë dua të tërheq vëmendjen në një tjetër aspekt: nëse tani e këpusim fillin e bisedimeve dhe vendosim për bojkot, kjo do të thotë që nuk kemi më mundësi ndikimi për të përmirësuar situatën e zonjës Timoshenko dhe kjo është për mua çështja më e rëndësishme."

Dialog dhe kërcënime

Guido Westerwelle: presion po por jo bojkot!
Guido Westerwelle: presion po por jo bojkot!Fotografi: dapd

Njëkohësisht ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle e kërcënoi me pasoja Ukrainën për shkak të trajtimin të politikanes opozitare Julia Timoshenko. Duke iu referuar anëtarësimit të dëshiruar të Ukrainës në BE, Westerwelle për gazetën Bild tha se Kievi duhet të dijë që rruga drejt Evropës ka si parakushte demokracinë dhe shtetin ligjor. Si anëtar i Këshillit të Evropës Ukraina duhet të përmbushë detyrimet e saj për respektimin e standardeve të të drejtave humane, tha Westerwelle. Në të njëjtën kohë ministri i Jashtëm gjerman ofroi që politikania e burgosur të trajtohet në një spital gjerman.

Autor: rtr/dpa/Eliana Xhani

Redaktoi: Bahri Cani