1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia dhe Rusia: Kryesorja të ecë rubla

Thomas Seibert1 Dhjetor 2014

Ankaraja shpreson që vizita e Putinit në Turqi të hënën t'u japë marrëdhënieve ruso-turke impulse të reja. Pavarësisht dallimeve politike të dyja palët duan të sigurojnë marrëdhëniet e tyre tregtare.

https://p.dw.com/p/1DxdD
Fotografi: REUTERS

Presidenti rus Vladimir Putin shkon në Turqi për një takim, i cili i ngjan një takimi të përbashkët të kabineteve qeveritare të dy vendeve. Është mbledhja e Këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë. Por presidenti rus në bisedë me homologun e tij turk Rexhep Taip Erdogan nuk do të cekë vetëm të përbashkëtat. Si fuqi të mëdha në rajonin e Detit të Zi dhe Lindjen e Mesme, Rusia dhe Turqia përplasen mjaft shpesh në vatrat rajonale të krizave dhe ndjekin në përgjithësi synime politike kontradiktore.

Në krizën e Sirisë Erdogan kërkon rrëzimin e Bashar al-Asadit, ndërsa Putini është një ndër aleatët më të rëndësishëm ndërkombëtarë të kryetarit të shtetit sirian. Në krizën e Ukrainës Turqia kritikoi anektimin e gadishullit të Krimesë, që ndodhet një orë larg me avion nga Stambolli dhe ku jeton edhe popullsia tatare e lidhur me turqit. Në konflikt për Nagorni Karabakun, enklavën armene në Azerbajxhan, Turqia është në anën e azerbajxhanasve ndërsa nga këndvështrimi turk Rusia nuk bën sa duhet për të ushtruar presion mbi armenët.

A priten fjalë të ashpra?

Në asnjërën nga pikat e nxehta nuk do të ketë ndryshime gjatë vizitës së Putinit, thotë eksperti rus Kamer Kasim. "Pozicionet e të dy palëve janë të pandryshuara", tha zëvendësshefi i institutit studimor në Ankara në një intervistë me DW. Edhe në tregtinë dypalëshe ka probleme. Ndërsa turqit në Rusi blejnë në rradhë të parë gaz natyror dhe mbulojnë nevojat e tyre deri në 65% me gazin rus, eksportet turke në Rusi vazhdojnë të bien. Së fundi nga 5.1 miliardë dollarë amerikanë në nëntë muajt e parë të vitit 2013 në 4,5 miliardë në të njëjtën periudhë të këtij viti. Hendeku mes rënies së eksporteve të Rusisë dhe importeve në rritje thellohet gjithnjë e më tej për Turqinë, pohoi Kasim.

Në çöshtjen e Sirisë Rusia dhe Turqia kanë qendrime diametralisht të kundërta
Në çështjen e Sirisë Rusia dhe Turqia kanë qendrime diametralisht të kundërtaFotografi: Zein Al-Rifai/AFP/Getty Images

Nga liderët militantë si Putini dhe Erdogani mund të pritet, që ata t'i trajtojnë këto kontradikta edhe publikisht me tone të ashpra. Por nuk është kështu. "Megjithë problemet të dyja palët përpiqen të ruajnë një ton të qetë", thotë Kasim.

Edhe pse në shumë fusha nuk ekzistojnë marrëveshje, të dyja shtetet janë të vendosura që të evitojnë përplasjet dhe të nxisin bashkëpunimin, aty ku është e mundur. Sipërmarrja shtetërore ruse Rosatom ndërton në Akkuyu në Mesdhe centralin e parë bërthamor turk, i cili do të fillojë punën në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Rreth 4,3 milionë turistë rusë në vit i sjellin industrisë turke të turizmit miliarda të ardhurash.

Turqia nuk merr pjesë në sanksionet kundër Turqisë

Turqia sheh të paktën një shans teorik që përmes shtimit të eksporteve në Rusi, të kompensojë humbjet në eksporte të shkaktuara nga trazirat në Lindjen e Mesme, thotë Orkhan Gafarli nga Qendra për Studime Strategjike të Turqisë së Re në Ankara. Këtu Ankaraja ndjek rrugë të pazakonta. Në një intervistë me Deutsche Welle Gafarli tërhoqi vemendjen se Turqia nuk merr pjesë në sanksionet perëndimore ndaj Rusisë për shkak të krizës së Ukrainës. Nga qarqet qeveritare turke u tha se Ankaraja nuk është e mendimit se mund të arrihet diçka tek Rusia me sanksione. Në të njëjtën kohë mendohet që të shmanget dollari amerikan si monedhë në tregtinë dypalëshe dhe të zëvendësohet me rublën dhe lirën.

Turizmi i sjell të ardhura të mëdha Turqisë
Turizmi i sjell të ardhura të mëdha TurqisëFotografi: Mikael Damkier - Fotolia.com

Përveç kësaj Moska ndjek me vemendje deklaratat e ashpra antiperëndimore të Erdoganit, tha eksperti për Rusinë Gafarli. Udhëheqja ruse e ka të qartë se Turqia si anëtare e NATO-s dhe kandidate për BE është pjesë e perëndimit, por ajo përpiqet, t'i tërheqë turqit "sa më shumë të jetë e mundur në anën e saj."

Në këtë kontekst mund të kthehet në rend të ditës edhe debati mbi pranimin e Turqisë në organizatën Shanghai Five, në të cilën deri tani bëjnë pjesë Kina, Rusia, Kazakistani, Uzbekistani, Kirgistani dhe Taxhikistani. Erdogan në të kaluarën e ka menduar që të largohej nga BE dhe të drejtohet nga Shangai Five. Që nga viti 2012 Turqia është partner zyrtar në dialogun me këtë organizatë.