1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia do të zgjedhë parlamentin e ri më 22 korrik

Hans-Mihael Kehl4 Maj 2007

Për zgjidhjen e krizës së shkaktuar për zgjedhjen e presidentit të ri në Turqi, parlamenti vendosi me shumicë për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamenatre.

https://p.dw.com/p/ArIj

Në fakt parlamenti turk duhej të votonte për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Propozimi i Komisionit të Zgjedhjeve për datën 22 korrik u pranua qysh përpara seancës së të enjtes (03.05) si nga partia në pushtet AKP, ashtu edhe nga partia socialdemokrate, më e madhe në opozitë. Megjithatë partitë e përfaqësuara në kuvend shfrytëzuan rastin nga kjo seancë për të marrë fjalën dhe për të ngarkuar me faj reciprokisht njëra-tjetrën mbi përgjegjësinë për krizën politike që po kalon vendi.

Kryetari i partisë socialdemokrate në opozitë, Deniz Bajkal, qysh përpara seancës kritikoi ashpër kryeministrin Rexhep Taip Erdogan për kritikat që ky kish shprehur ndaj vendimit të gjykatës kushtetuese, që e shpalli të pavlefshëm votimin parlamentar për zgjedhjen e presidentit. "Më vjen keq për stilin tuaj. Vetëm se Gjykata Kushteteuse ka marrë një vendim, që nuk i shkon për shtat kryeministrit, kjo nuk do të thotë, që ai mund të flasë pa respekt ndaj gjykatës supreme, që është një ndër themelet më të rëndësishme të kushtetës turke. Apo mos vallë ai e ka këtë të drejtë? Jo, kjo nuk duhet bërë!"

Kryeministri Erdogan u mbrojt nga kritika. Ai tha, se nuk e ka kritikuar Gjykatën Kushteteuese. Ai ia ka ngarkuar përgjegjësinë për krizën partisë socialdemokrate dhe kryetarit të saj Bajkal: "Nëse ju dëgjoni me vëmendje, atëherë e kuptoni, që deklarimet e mia s´kanë të bëjnë me Gjykatën Kushtetuese. Unë them: që ky
është një plumb i qëlluar ndaj demokracisë, por me këtë unë i referohem deklarimeve konfliktuoze të zotit Bajkal. Nëse është ndryshe unë nuk mund të theksoja qysh në fillim të deklaratës, se ne e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne vazhdojmë të punojmë me përgjegjësi të plotë."

Më pas parlamenti me shumicë votash vendosi që zgjedhjet e parakohshme të zhvillohen më 22 korrik. E paqartë është, nëse do të mund të miratohen deri në këtë afat ndryshimet kushteteuese që ka shpallur kryeministri Erdogan. Ai do në radhë të parë të arrijë, që presidenti të zgjidhet direkt nga populli. Nëse ky ndryshim miratohet në parlament deri në mes të korrikut, atëherë më 22 korrik mund të ketë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale.