1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia duhet të heqë dorë nga një aventurë e mundshme ushtarake kundër PKK-së në veri të Irakut

Baha Güngör21 Korrik 2005

Tone të ashpra mund të dëgjohen tani nga Ankaraja. "Durimi ynë ka arritur një kufi të caktuar", deklaroi kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan dhe kërcënoi dje sërish me pushtimin e veriut të Irakut. Arsyeja: Atentatet e shtuara me bomba në vendet e pushimit në Turqinë perëndimore, por edhe sulmet ndaj ushtarëve turq - të kryera nga luftëtarë apo simpatizantë të Partisë Punëtore Kurde PKK. Prej kampeve në veri të Irakut këta depërtojnë në Turqi përmes kufirit. Por ndërhyrja në veri të Irakut do të kishte pasoja të pallogaritshme. Në interesin e vet Turqia duhet të heqë dorë nga aventurat ushatarke kundër PKK-së, mendon në komentin e tij Baha Güngör.

https://p.dw.com/p/ArDk
Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan
Kryeministri turk Recep Tayyip ErdoganFotografi: AP

Synimin e saj të parë afatshkurtër Partia militante Punëtore Kurde PKK e ka arritur; të irritonte aq shumë Turqinë saqë durimi i kësaj të mbaronte dhe të kërcënonte me ndërhyrjen e trupave të saj në veri të Irakut si në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë. Numrin në rritje të sulmeve ndaj ushtarëve në lindje e juglindje të Anadollit dhe së fundi shpërthimet e bombave në vendet turistike në perëndim të Turqisë, të cilat e kanë dëmtuar rëndë turizmin turk, Turqia nuk mund t'i pranonte duke ndenjur duarkryq.

Megjithë mirëkuptimin për shqetësimet e Turqisë për sigurinë e kufijvetë saj si dhe për jetën e shumë njerëzve të pafajshëm; sulmi për shkatërrimin e strehëve të PKK-së në rajonin kurd të Irakut verior do të ishte alternativa më e keqe. Së pari rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht. Në të kaluarën kurdët e Irakut ishin të armiqësuar mes tyre. Turqia përfitonte prej kësaj, sepse para së gjithash Partia Demokratike e Kurdistanit me në krye Massoud Barzanin bashkëpunonte me forcat turke të sigurimit për të siguruar mbështetjen e fqinjit më të fuqishëm. Së dyti në Bagdad nuk ekziston më regjimi i Saddam Husseinit, i cili ishte indiferent ndaj zhvillimeve në rajonin kurd e si pasojë nuk mbrohej prej operacioneve të turqve kur këta kalonin kufirin për në Irak. Dhe një arsye tjetër: në veri të paralelit 36 hapësira ajrore ishte e ndaluar për armën ajrore irakiane. Kjo nuk kishte as në tokë mundësi të madhe veprimi.

Por ndërkohë Iraku qëndron nën ndikimin dominues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu me Xhalal Talabanin ka një udhëheqës kurd që është püresident i Irakut dhe që ka lidhur aleancë me ish-kundërshtarin e tij të përhershëm Barzani. Ndaj është realiste droja e trupave turke se në rast ndërhyrjeje kundër PKK-së nuk duhet llogaritur me mbështetje nga ana e kurdëve të Irakut, por me qëndresë masive. Mbi të gjitha do të jenë amerikanët që nuk do të pranojnë përkeqësimin e gjendjes tashmë të keqe duke i shtuar asaj zbrapsjen e e mundshme të ushtarëve turq të NATO-s nga forca amerikane.

Përballë fakteve ekzistuese dëshira e Ankarasë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të veprojnë kundër PKK-së dhe udhëheqësve të saj në veri të Irakut është e drejtë. Aq më tepër që Uashingtoni e llogarit qartë Partinë Punëtore Kurde ndër organizatat terroriste. Por megjithë mirëkuptimin Turqia duhet të veprojë me kujdes. Gabimet e viteve që prej arrestimit të udhëheqësit të PKK-së Abdullah Öcalan në shkurt të 1999-ës kanë bërë që, sipas të dhënave zyrtare turke, rreth 75 për qind e anëtarëve të PKK-së të jenë nën 35 vjeç, pra njerëz që duan t'i shpëtojnë gjendjes pa punë e pa shpresë në vendin e tyre të lindjes dhe që instrumentalizohen lehtë për synimet e tyre prej ekstremistëve politikë apo fetarë. Kështu vetëm numri i militantëve kurdë në Turqi, të gatshëm për atentate vetëvrasëse përllogaritet nga ekspertët në rreth 70.

Ndërhyrja në veri të Irakut as nuk do të sillte përmirësimin e kushteve në rajonet kurde, të lëna këto pas dore për dekada të tëra, e as nuk do ta zvogëlonte numrin e atentatorëve potencialë. Por para së gjithash do të rrezikohej afrimi i mëtejshëm i Turqisë me Bashkimin Evropian dhe fillimi i negociatave për anëtarësim të caktuara për 3 tetor, sepse Brukselit nuk do t'i mbetej gjë tjetër veçse t'i ndërpriste ato.