1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqia një ndër rrugët kryesore të tranzitit për refugjatë dhe emigrantë që synojnë BE-në

Ulrich Pick 11 Dhjetor 2007

Më parë trafikimin mund ta bëje vetë, por tani kontrollet e policisë janë shtuar dhe nuk punon më dot vetë pa bashkëpunuar me të tjerët, rrëfen një trafikant.

https://p.dw.com/p/CaBo
Mjaft refugjatë rrezikojnë jetën për të ardhur në perëndimFotografi: AP

Prej mbytjes së një anije me refugjatë përpara bregdetit perëndimor të Turqisë, në Seferihisar në jug të Izmirit, gjetën vdekjen mbi dhjetë vetë. Në bordin e anijes duhet të ketë pasur rreth 70 vetë. Kështu thotë një nga gjatë personat që arritën të mbijetonin. Ende nuk është e qartë nëse anija në fjalë kishte si destinacion ishullin grek Kios apo Samos, që gjenden në afëri të zonën ku ndodhi ngjarja. E sigurt është që anija u batua për shkak të valëve të forta dhe shumica e refugjatëve që gjendeshin në të u mbytën.

Rrëfimi i një trafikanti

Turqia është një ndër rrugët kryesore të tranzitit për në vendet e BE-së. Metin Duman nga Bodrumi, i cili deri sa e kapi policia, kishte qenë për gjashtë vjet me radhë trafikant, thotë se ky është një biznes mjaft fitimprurës: „Refugjatët vijnë kryesisht nga Irani apo Iraku. Ata paguajnë nga 2000 dollarë për kokë për t'i çuar fillimisht në Stamboll. Pastaj atyre u duhet të presin ndonjëherë deri në katër muaj deri sa të kalojnë për në Evropë. Më parë këtë punë mund ta bëje vete, por tani kontrollet e policisë janë shtuar dhe nuk punon më dot vetë pa bashkëpunuar me të tjerët. Më parë shkoja e i merrja vetë refugjatët në Stamboll dhe i çoja në Greqi. Kur më kapnin përfundoja për 2-3 muaj në burg."

Sipas të dhënave të televizionit turk edhe të hënën në Turqi u kap një kamion, me të cilin po transportoheshin 54 refugjatë. Gjatë fundjavës u mbyt në përpjekje për të kapërcyer hapësirën mes Turqisë dhe Qipros një varkë me gjashtë uzbekë. Tre prej tyre arriti t'i shpëtonte një anije peshkimi, të tjerët janë zhdukur.