1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Uashingtoni, Berlini dhe Jeruzalemi reagojnë me kritika ndaj pasurimit të uraniumit nga Irani

ADD13 Prill 2006

Bashkësia ndërkombëtare ka reaguar me frikë dhe me kritika ndaj deklaratës së Teheranit, se ai ka arritur të pasurojë me sukses uraniumin. Deklarata të qarta u bënë në Uashington, Berlin dhe në Jeruzalem.

https://p.dw.com/p/AqqQ
Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad
Presidenti iranian Mahmud AhmadinexhadFotografi: AP

Në SHBA shqetësimi është i dyfishtë: nga një armë atomike në duart e Iranit dhe nga një sulm ushtarak i amerikanëve.

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare, Zbigniev Brzezinski e paralajmëron qeverinë Bush që të mos përdorë opcionin ushtarak. Amerika do ta humbasë përfundimisht rolin dhe prestigjin e saj në botë, nëse do të ketë luftë, thotë ai. Por presidenti Bush ka deklaruar disa herë se showdown-i nuk do të jetë midis SHBA dhe Iranit: "Po të zhvillonim të vetëm negociata me Iranin, atëherë bota do ta kthente gishtin nga ne. Por unë nuk do t'i fut SHBA në një situatë të tillë. Gjermania, Britania e Madhe, Franca ndodhen në të njëjtën tryezë me ne."

Së fundi në SHBA u diskutua me zë të lartë dhe publikisht për një opcion të mundshëm ushtarak në rastin e Iranit. Pasoi një përgënjeshtrim zyrtar: vetëm të martën ministri i jashtëm amerikan Donald Rumsfeld i quajti këto lajme lojëra të fantazisë: "Presidenti Bush dhe aleatët tanë janë përqëndruar në kursin diplomatik. Më tepër nuk ke ç'të thuash për këtë."

Por më shumë të mërkurën tha ministrja e jashtme amerikane Kondolisa Rajs, e cila i kërkoi shefit të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore që të ngulte këmbë në bisedat e së premtes në Teheran që Irani t'u përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare. Dhe më tej: "Këshilli i Sigurimit duhet t'i studiojë me vëmendje veprimet e fundit të Iranit dhe të vijë në përfundimin, se ka ardhur koha për hapa të fortë, për të ruajtur vetë besueshmërinë e bashkësisë ndërkombëtare."

Kondolisa Rajs nuk deshi të thoshte se cilat masa preferojnë SHBA në rastin e Iranit. Sanksione ekonomike dhe politike shihen nga politikanët amerikanë si rasti tjetër logjik në grindjen atomike.

Ndërkohë qeveria gjermane theksoi përmes zëdhënësit të saj, Thomas Steg se deklarata e Teheranit nuk është e papritur. Ka disa javë që negociatat me Teheranin janë futur në një rrugë pa krye dhe as ofertat dhe as kërcënimet nuk mund të ndryshojnë gjë në këtë drejtim:"Ne mund të përforcojmë edhe njëherë, se ky është një hap tjetër në drejtimin e gabuar dhe se Irani me sa duket nuk është i gatshëm të largohet nga rruga e vetëizolimit".

Ministri i jashtëm gjerman Frank Valter Steinmeier deklaroi që nga Finlanda ku ndodhet për vizitë se deklarata e Teheranit është një hap në drejtimin e gabuar.

Me shqetësim të madh u prit edhe në Izrael deklarata e Teheranit, se ai tashmë është në gjendje të pasurojë uranin. Në qarqet e sigurisë bëhet e ditur se ky është një hap i qartë përpara. Por Izraeli është i mendimit së kërcënimi iranian është i drejtuar jo vetëm kundër Izraelit, por kundër të gjithë botës. Këtë pozicion ka edhe udhëheqja politike në Jeruzalem.

Deputeti i Kadimas dhe ish-ministri i jashtëm Shimon Peres bëri thirrje në radion izraelite për përmbajtje: "SHBA e kanë vendosur këtë temë në krye të shqetësimeve të tyre. Prandaj unë propozoj që të mos përzihemi, megjithëse kemi të bëjmë me diçka shqetësuese dhe që të zemëron. Nëse do të ngulnim këmbë tani, mund të mbeteshim vetëm dhe ky do të ishte gabim. Jam i sigurtë se SHBA janë shumë të ndërgjegjshme për rreziqet dhe prandaj duhet t'ua lëmë atyre këtë punë," tha Peresi.