1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Udhëheqësit kosovarë: Beogradi nuk do të veprojë në Kosovë, as përmes strukturave ndërkombëtare

21 Gusht 2009

Krerët e misionit EULEX në Kosovë dhe udhëheqësit politikë kosovarë nuk janë pajtuar në një takim për protokollin e bashkëpunimit, që EULEX-i dëshiron të nënshkruajë më policinë e Serbisë.

https://p.dw.com/p/JFo5
Kreu i EULEX-it, Iv de Kermabon në një takim me një punonjës të forcave policore të Kosovës
Kreu i EULEX-it, Iv de Kermabon në një takim me një punonjës të forcave policore të KosovësFotografi: AP

EULEX-i i referohet kompetencave prej rezolutës 1244 të KS, por kosovarët e kundërshtojnë këtë

Shefi i misionit të BE për polici dhe drejtësi, Yves de Kermabon dhe udhëheqësit politikë kosovarë, kanë qëndrime të ndryshme rreth një protokolli bashkëpunimi që pritet të nënshkruhet ndërmjet EULEX-it dhe policisë së Serbisë. Misioni evropian EULEX i referohet rezolutës 1244 të KS, e cila i jep atij mandat dhe fuqi ekzekutive që të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me policitë e vendeve të rajonit. Por udhëheqësit politikë kosovarë e kundërshtojnë një gjë të tillë. Shefi i misionit EULEX në Kosovë, Yves de Kermabon, thotë se luftimi i krimit nga kushdo qoftë është një gjë e mirë për Kosovën.

“Kosova dhe EULEX- janë plotësisht të përkushtuar për bashkëpunim të mirë. Mirëpo edhe ndërmjet shokëve nganjeherë ka pikëpamje të ndryshme dhe pësa i përket çështjes së këtij protokolli ne kemi pikëpamje të ndryshme. Ne besojmë se për t'i zgjidhur këto mosmarrëshje rruga më e mirë është që të bisedojmë”, thotë Yves de Kermabo. Ai thotë se nevojitet bashkëpunim rajonal, të krijohen mekanizmat që të luftohen krimet e rënda, sepse kjo është në të mirë të të gjithë rajonit, posaçërisht të Kosovës.

Iv de Kermabon: protokolli i bashkëpunimit me Serbinë nuk ka të bëjë me planin e Ban Ki Munit

“EULEX-i nuk nënshkruan dhe nuk do të nënshkruajë asnjë lloj marrëveshjeje në emër të Kosovës dhe ky protokoll dhe bashkëpunimi operacional me Serbinë nuk ka të bëjë asgjë me planin gjatë pikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun”, thotë Yves de Kermabon.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi thotë se asnjë marrëveshje që nënshkruhet në emër të Kosovës, por pa institucionet e saj, nuk do të zbatohet në Kosovë. Kështu ai nuk e bën të qartë nëse e kundërshton protokollin e bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe policisë së Serbisë.

Thaçi e lë të paqartë nëse e kundërshton apo mbështet protokollin e bashkëpunimit të EULEX-it dhe policisë së Serbisë

“Në asnjë rrethanë Beogradit nuk do t'i jepet hapësirë dhe as autoritet në territorin e Republikës së Kosovës, përmes asnjë mekanizmi, qoftë ai ndërkombëtar apo vendas”, thotë Thaçi.

Analistët politikë thonë se protokolli i bashkëpunimit ndërmjet EULEX-it dhe policisë së Serbisë legjitimon strukturat paralele serbe. Stacionet e policisë në vendbanimet serbe nuk do t'i përgjigjen komandës së policisë së Kosovës, por vetëm misionit EULEX. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, thotë se strukturat paralele janë të dëmshme edhe për vetë komunitetin serb.

“Nuk mendojmë se mund të ketë ide që dikush dëshiron të instrumentojë apo të mbajë gjallë strukturat paralele serbe të cilat realisht janë në dëm edhe të vet komunitetit serb”, thotë presidenti Sejdiu.

Sidoqoftë, akoma është e paqartë nëse misioni EULEX, do ta nënshkruajë apo jo protokollin e bashkëpunimit me policinë e Serbisë. Ministri i punëve të brendshme të Serbisë ka thënë se teksti i protokollit për bashkëpunim policor në mes të EULEX-it dhe Serbisë është afër përfundimit dhe së shpejti do të nënshkruhet nga palët. Ministri Daçiq, ka thënë se nënshkrimi i këtij protokolli do të bëhet mbi bazën e rezolutës 1244 të OKB-së, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.


Autor: Bekim Shehu/ Prishtinë

Redaktoi: Auron Dodi