1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ukraina në mjegullën e propagandës

Reinhard Veser11 Nëntor 2014

Edhe pse ka arsye të mira për të mos u besuar mesazheve të ushtrisë ukrainase, apo të separatistëve, duket se Rusia po vazhdon armatosjen e këtyre të fundit, mendon Reinhard Veser.

https://p.dw.com/p/1Dl91
Fotografi: picture-alliance/dpa/Alexey Kudenko

Ukrainasit dhe separatistët e akuzojnë njëri-tjetrin se janë përgjegjës për përleshjet, gjatë të cilave nga fillimi i të ashtuquajturit armëpushim ka pasur pothuajse çdo ditë të vrarë. Se cila është e vërteta, këtë në shumicën e rasteve nuk mund ta thonë as vëzhguesit e OSBE-së. Në Ukrainë mbretëron një luftë propagandistike, në të cilën ka arsye të mira për të mos u besuar lajmeve të të dyja palëve. Prandaj shumica e mediave dhe politikanëve perëndimorë kanë qenë javën e kaluar të kujdesëshëm ndaj deklaratave të ushtrisë ukrainase, se në Ukrainën lindore ka lëvizje të një numri të madh tankesh dhe topash nga Rusia. Megjithatë po shtohen njoftimet se nën mbrojtjen e mjegullës së pluhurit të propagandës Rusia ose po vazhdon armatimin e mëtejshëm të separatistëve, ose - sikurse në Krime - po pushton me trupa dhe automjete pa targa një pjesë të territorit ukrainas. Të dyja këto veprime janë një shkelje e qartë e marrëveshjes së armëpushimit të Minskut. Putini e mburr këtë dokument si kontribut të Rusisë për paqen. Në realitet do të ishte një hap përpara, nëse Moska nuk kontribuon për një përshkallëzim të mëtejshëm.