1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Uli Hoeneß mund të dënohet me heqje lirie

Daniel Heinrich/Pandeli Pani13 Mars 2014

Dr. jur. Heribert Prantl mendon se Uli Hoeneß mund të dënohet me heqje lirie.

https://p.dw.com/p/1BOoX
Fotografi: Reuters

Shpresa e avokatëve mbrojtës është se pas pranimit radikal të fajit për evazion fiskal dhe kooperimit për zbardhjen e çështjes mund të arrijnë që dënimi me heqje lirie të kthehet në dënim me kusht. Por dënime me më tepër se dy vjet heqje lirie nuk mund të shndërrohen në dënim me kusht. Nisur nga shuma e lartë e evazionit fiskal Heribert Prantl mendon se trupi gjykues do ta konsiderojë rastin e Uli Hoeneß si rast të rëndë evazioni fiskal dhe edhe dënimi do të jetë i rëndë, pra me heqje lirie nga gjashtë muaj deri në dhjetë vjet.

Uli Hoeness hiqej deri tani gjatë gjithë kohës si i sigurtë se do t'i shpëtonte dënimit përmes vetëkallëzimit. Por që në fillim të procesit u bë e qartë se në vetëkallëzim ai kishte treguar vetëm për një pjesë minimale të evazionit fiskal, dhe për këtë falja është e pamundur. Uli Hoeneß kishte deklaruar fllimisht se kishte bërë evazion fiskal në shumën 3,5 milionë euro. Por tani rezultoi se shuma është rreth 27 milionë euro.

Heribert Prantl mendon se është e pranueshme që dikush, që ka kryer një mashtrim fiskal të këtij niveli, të vazhdojë të jetë edhe president i FC Bayern. Uli Hoeneß ka meritat e veta, sepse ai e bëri FC Bayern München një ndër skuadrat më të mira të botës, por ai vetë e ka vënë veten në një pozitë të tmerrshme, thotë Prantl. Bordi mbikëqyrës i FC Bayern e la deri tani Hoeness në detyrë, sepse ky ishte përbetuar gjatë gjithë vitit të kaluar se vetëkallëzimi vullnetar, që kishte bërë në janar 2013, kishte qenë i plotë dhe në një rast të tillë personat, që bëjnë evazion fiskal, mund t'i shpërtojnë në Gjermani dënimit penal përmes vetëkallëzimit.

Prof. Dr. Heribert Prantl
Heribert PrantlFotografi: imago/Müller-Stauffenberg

Heribert Prantl mendon se trupi gjykues është i befasuar nga të dhënat e fundit për sasinë e evazionit fiskal të Uli Hoeneß dhe se për këtë shkak procesi do të vazhdojë përtej ditës së sotme (14.03.14).

Dr. jur. Heribert Prantl është drejtues i departamentit të politikës së brendshme të gazetës Süddeutsche Zeitung në Mynih. Më parë ai ka punuar për shumë vite si prokuror dhe gjyqtar.