1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UNDP ndihmon në përmirësimin e dialogut ndëretnik në Maqedoni

9 Tetor 2010

Në tre komuna të Maqedonisë ku jeton popullsi e përzier etnike do të realizohen një sërë projektesh nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

https://p.dw.com/p/Pa4r
Logo e programit të OKB-së për Zhvillimin.

Në komunat e Maqedonisë ku jeton popullatë e përzier etnike ka nevojë që në vazhdimësi të promovohen dhe jetësohen projekte të cilat do të kontribuonin për respektin, tolerancën dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë midis etniteteve të ndryshme. Në sendërtimin e raporteve të mira ndëretnike rol kyç mund të luajë pushteti lokal sepse ai më së miri detekton problemet eventuale të natyrës etnike në komunat ku jetojnë popullatë e përzier etnike. Kështu thotë Vesna Xhundevska nga UNDP. Për këtë shkak, në mbështetje të UNDP-së në tri komunat e Maqedonisë ku jetojnë shqiptarë e maqedonas Kumanovë, Strugë dhe Gostivar do të realizohen një sërë projektesh për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

"Në Komuna duhet të funksionojnë komisione përkatëse që do të meren kryesisht me zgjidhjen e problemeve ndëretnike, në këtë mënyrë problemet do të gjenin zgjidhje të përhershme”,shprehet Xhundevska.

Pamje nga Struga
Pamje nga StrugaFotografi: Petar Stojanovski

Kërkohet zgjidhje afatgjatë

Dialogu ndëretnik në Maqedoni është një çështje tejet e ndjeshme dhe kur flitet për intensifikimin e tij duhet një angazhim gjithëpërfshirës vlerëson Ibrahim Memeti, udhëheqës i shumë projekteve ndëretnike që janë realizuar në vend. Dialogu në Maqedoni zhvillohet vetëm mes subjekteve politike dhe ai shumë vështirë zbret në nivelin e shoqërisë civile.

"Shumë herë në Maqedoni me dialog të sukseshëm nënkuptohet dialogu ndërmjet partive dhe kjo është gabim, andaj mendoj se ne nuk kemi raporte të duhura sepse nuk kemi dialog në nivelin qytetarë”, thotë Ibrahim Memeti.

Qendra për dialog ndërkulturor në Kumanovë ka marë përsipër të zhvillojë një fushatë informuese me qytetarët për rolin e pushtetit vendor në kapërcimin e dallimeve etnike në këtë qytet, thotë Stefan Manevski nga kjo qendër.

Pamje nga Kumanova.
Pamje nga Kumanova.Fotografi: Petar Stojanovski

"Institucionet vendore lokale aspak nuk merren me zgjidhjen e problemeve të natyrës etnike edhe pse një angazhim të tillë ia mundëson ligji. Por edhe qytetarët shumë pak janë të informuar për kompetencat e autoriteteve lokale në fushën e marrëdhënieve ndëretnike “, thotë Manevski.

Qytetarët kanë nevojë për më shumë informacion

Raportet ndëretnike në Maqedoni janë çështje me të cilat vendi do të ballafaqohet edhe në të ardhmen sepse nga to varet paqja dhe stabiliteti afatgjatë në vend, thotë drejtori programor në shoqatën për iniciativa demokratike në Gostivar, Lulzim Haziri.

"Çdo iniciativë e mbështetur dhe e koordinuar edhe nga institucionet shtetërore sigurisht që do t'i sjellë rezultatet e veta. Kur flitet për ngritjen e vetëdijes, rezultatet nuk janë aq të dukshme, por mund të paramendohet se si do të jetë situata nëse nuk ka të tilla iniciativa dhe projekte” , shprehet Lulzim Haziri.

Në komunën e Strugës kanë qenë të shpeshta zënkat mes nxënësve shqiptarë dhe maqedonas, që në mediat e vendit kanë marë konotacion të incidenteve ndëretnike. Sipas Ramiz Merkos, kryetar i komunës së Stugës, incidentet midis të rinjve gjenerohen nga politika.

“Pluhuri që ngrihet për marrëdhëniet e këqija ndëretnike në arsim apo jetën e përditëshme janë insinuata dhe të motivuara politikisht sidmos në kohën e fushatave parazgjedhore”, thotë Merko.

Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit i ka dhënë mbështetje të plotë realizimit të projekteve të UNDP-së sepse raportet e mira ndëretnike paraqiten si kusht për rrugën e Maqedonisë drejt integrimit evropian.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Eliana Xhani