1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UNESCO i thotë jo pranimit të Kosovës

Bekim Shehu9 Nëntor 2015

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s nuk e miratoi kërkesën e Kosovës për t'u pranuar si anëtare në këtë organizatë.

https://p.dw.com/p/1H2MD
UNESCO Konferenz in Paris
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/M. Euler

Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë UNESCO, nuk votoi në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Në votimin, që u zhvillua në Paris (09.11), morën pjesë 142 shtete, 92 votuan pro, 59 kundër, ndërsa 29 abstenuan. Kosovës i nevojiteshin 95 vota për të siguruar shumicën e dy të tretave të pjesmarrësve në votim. Pra, Kosovës i munguan vetëm tri vota për t'u pranuar si anëtare me të drejta të plota në UNESCO. Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në UNESCO është paraqitur zyrtarisht nga Shqipëria. Votimit i parapriu një kërkesë e delegacionit të Serbisë, për ta shtyrë votimin edhe për dy vite, por kjo kërkesë nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme. Autoritetet e Kosovës, të kryesuara nga diplomacia kosovare tash e disa muaj, kanë lobuar tek vendet e ndryshme të botës për të përfituar mbështetjen e tyre për pranimin e Kosovës në UNESCO. Ndërkohë autoritetet e Serbisë dhe Kisha Ortodokse Serbe kanë zhvilluar një fushatë të intensifikuar duke kundërshtuar pranimin e Kosovës në këtë organizatë të OKB-së.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh edhe zëvëndëskryeministri Hashim Thaçi tha nga Parisi, se "Shumica e madhe e shteteve të botës kanë votuar për Kosovën. Fatkeqësisht për 3 vota nuk fituam shumicën e nevojshme. Për 10 muaj fushatë, si konfidenciale, ashtu edhe të hapur, kemi dhënë maksimumin dhe ç'është me rëndësi edhe qytetarët dhe miqtë e Kosovës dhanë shumë. Rruga e Kosovës është e pandalshme dhe ne do të aplikojmë dhe do të anëtarësohemi edhe në organizata të tjera duke përfshirë edhe UNESCO-n edhe një herë", shkruan në profilin e tij në facebook, Hashim Thaci.

Partitë politike opozitare menjëherë e shfrytëzuan këtë rast për të përforcuar argumenin e tyre kundër qeverisë së Kosovës për siç thonë ato "koncesionet që i ka bërë Kosova në raport me vendet fqinje duke përfshirë këtu edhe dy marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe Malin e Zi". Sipas Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kosova po bën koncesione me Serbinë, ndërsa, kjo e fundit zhvilloi fushatë të ashpër kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. "Kosova e ka merituar plotësisht që të jetë anëtare e kësaj organizate, por votimi i sotëm shpjegon se sa e komplikuar është rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë por edhe në vetë Kombet e Bashkuara. Sidoqoftë, kjo në asnjë situatë nuk bën të na dekurajojë nga përkushtimi dhe vendosmëria jonë që anëtarësimin në UNESCO, në OKB dhe në organizata të tjera, ta synojmë me çdo kusht. E drejta është në anën e Kosovës", thuhet në reagimin e AAK-së.

Kosovo Gracanica Kloster UNESCO Liste
Manastiri i Graçanicës, pjesë e trashëgimisë kulturore botërore në listën e UNESCO-sFotografi: Getty Images/AFP/A. Nimani

E nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, ka uruar serbët pas dështimit që Kosova të anëtarësohet në UNESCO. "I uroj qytetarët e Serbisë pasi kemi pas besim që do ta mbrojmë atë që tanët e kanë ruajtur me shekuj. Kjo është fitore e drejtësisë dhe fitore morale në kushte gati të pamundshme, kur shpeshherë ajo që është e drejtë nuk mund të llogarisë në mbështetjen e shumicës", ka thënë Nikoliq për mediat lokale serbe.

Beogradi vazhdon ta kundërshtojë ashpër anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke ngulur këmbë, - siç thuhet - se kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë i takojnë trashëgimisë dhe pronës së Kishës Ortodokse serbe. Autoritetet në Kosovë thonë se me anëtarësimin në UNESCO Kosova do t'i rrisë standardet e ruajtjes dhe të garantimit të trashëgimisë kulturore, përfshi edhe respektimin e statusit të trashëgimisë dhe të pronës së Kishës Ortodokse Serbe.

Më 21 tetor bordi ekzekutiv i UNESCO-s me shumicë votash kishte vendosur që ta rekomandojë propozimin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, gjë që hapi rrugën që kjo çështje të votohet (09.11) në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s. Shefi i diplomacisë kosovare Hashim Thaçi, paralajmëroi se Kosova do të aplikojë për pranim në sesionin e ardhshëm. E sesioni i ardhshëm për pranimin e mundshëm të Kosovës në UNESCO është në vitin 2017, sepse Asambleja e Përgjithshme e kësaj organiozate të OKB-së mblidhet një herë në dy vjet.