1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Uragani Katrina

Daniel Sheshkevic1 Shtator 2005

Pasoja të rënda të uraganit Katrina. Presidenti amerikan Xhorxh Bush ndërpret pushimet dhe kthehet në Shtëpinë e Bardhë

https://p.dw.com/p/Aqix
Fotografi: AP

Pas një fluturimi mbi rajonet e goditura nga uragani "Katrina", presidenti Xhorxh Bush u shpreh, se kjo është një prej katastrofave më të mëdha në historinë e SHBA.
"Pjesa më e madhe e Nju Orleans gjendet nën ujë. Dhjetëra mijëra shtëpi dhe objekte afariste më nuk mund të riparohen. Një pjesë e madhe e gjirit e Misisipit është shkatërruar tërësisht. Ne po përjetojmë një prej katastrofave më të mëdha natyrore, në historinë e vendit tonë", tha presidenti Bush.
Presidenti amerikan paralajmëroi se qeveria e tij do të ndërmarrë të gjitha masat e mundura për të mbështetur aksionet e oranizuara në këto rajone. Prioritet janë shpëtimi i jetës së njerëzve, zbutja e gjendjes emergjente dhe strehimi i atyre që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Më pas mund të fillojnë aksionet për rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar. "Rindërtimi kërkon shumë kohë. Do të zjgasë me vite", thotë presidenti amerikan Bush.
Prefekti i Nju Orleans ka shprehur ndërkohë frikën se vetëm në vendin e tij mund të ketë me mijëra të vdekur. Ekipet shpëtuese me helikopterrë, rojet bregdetare dhe Marina amerikane edhe më tutje po vazhdojnë përpjekjet për shpëtimin e njerëzve të mbetur në kulme të shtëpive të tyre. Rreth 80 përqind e Nju Orleans edhe më tej është nën ujë, pa energji elektrike dhe lidhje telefonike. Shumë të shpeshta janë edhe plaçkitjet masive dhe zjarret lokale. Policia është detyruar të tërhiqet nga aksionet e shpëtimit, me qëllim që të kujdeset për sigurinë. Ekspertët paralajmërojnë për mundësinë e sëmundjeve të rënda ngjitëse, si tifoja dhe kolera. Mbi 20.000 njerëz të strehuar në arenën sportive, "Superdom", në qendër të qytetit, me autobusë dhe mjete të tjera duhet të evakuohen sa më shpejtë që është e mundur dhe të transferohen në një stadium të ngjashëm në Hjuston.
Ndërkohë në Misisipi kanë nisur aksionet e spastrimit të gërmadhave. Autoritertet e këtij vendi flasin për rreth 100 të vdekur. Garda kombtare me qenë të specializuar, po kërkon njerëz të gjallë të mbetur nën gërmadha. Pasojat shkatërruese mund të shihen me kilometra gjatë, deri në thellësi të këtij rajoni. Mijëra njerëz kanë humbur të gjitha pasuritë dhe për tre ditë me radhë jetojnë nga rezervat emergjente. Shumë prej tyre ankohen për ardhjet tepër të ngadalshme të ndihmave. Jozef Gipson nga qyteti Biloksi pyet: "Pse e gjitha po zgjatë kaq shumë? Kjo është gjendje emergjente. Ne kemi nevojë për ndihma menjëherë dhe jo nesër ose pasnesër".
Autoritetet për menaxhimin e krizave natyrore në nivelin federal, justifikohen me problemet tepër të mëdha logjistike, me të cilat për përballen ekipet e ndihmës emergjente. Shumë rrugë janë shkatërruar apo dëmtuar, prandaj ndihmat, ushqimet dhe uji për pije duhet të hidhen edhe prej ajri. Kryqi i kuq amerikan flet për aksionin më të madh të shpëtimeve në historinë e tij. Mirëpo, ai ende nuk ka mundur të depërtojë në shumë rajone të shkretëruara.
Vlerësohet se në pikastrehimet emergjente deri tani janë strehuar rreth 75.000 njerëz. Ndërkohë që rreth një milionë njerëz vlerësohet të kenë mbetur pa kulm mbi kokë.