1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brexit dhe urrejtja

Christoph Ricking30 Qershor 2016

Pas Brexitit në Britaninë e Madhe është shtuar urrejtja ndaj të huajve nga vendet e BE-së. Ekspertët paralajmërojnë për përçarje të thella në shoqerinë britanike.

https://p.dw.com/p/1JFeC
Fotografi: picture-alliance/NurPhoto/J. Nicholson

Të dielën në mëngjes bashkëpunëtorët e Polish Social and Cultural Association (POSK) në Hammersmith të Londrës kanë përjetuar një befasi të keqe: persona të panjohur kanë shkruar në hyrje të godinës parulla raciste. Por ky nuk është një rast i vetëm: në Huntington, në qarkun Cambridgeshire në një shkollë janë gjetur harta me shkrime: "Jashtë nga BE" dhe kundër punëtorëve nga Polonia. Një nxënës 11-vjeçar me origjinë nga Polonia tha se vërtetë e ndjenë veten të pikëlluar. Letra me parulla të këtilla janë gjetur edhe në pjesë të tjera të qytetit.

"Si evropianolindore unë jam e shqetësuar", thotë Ana Petrov, nga Bullgaria. Ajo jeton qe tre vjen në Jug të Anglisë. "Unë kam krijuar këtu një vendlindje të dytë. Por tani kur flas me telefon në gjuhën bullgare, kam frikë se dikush do të më bërtasë. Apo diçka edhe më keq."

Të dhënat e policisë tregojnë rritjen e urrejtjes dhe kriminalitetit ndaj të huajve, prej javës së kaluar. Mes të enjtes dhe të dielës është shtuar me 57 % numri i sulmeve. Ndërkohë që sulmet janë shtuar edhe në rrjetet sociale, ku ka shumë sharje dhe ofendime kundër të huajve. "Papritur e ndjej veten sërish si të huaj dhe larg shtëpisë sime", thotë gjermania Karolin Weber, e cila punon në Londër.

Agresioni kundër të huajve nga BE-ja dhe personave me ngjyrë

Një pjesë e madhe e agresionit drejtohet kundër personave me origjinë nga vendet e BE-së, por edhe britanikët me ngjyrë janë në shënjestër. Gazetarja e BBC-së Sima Kotchena është ofenduar për shkak të raportimit për Brexit-in. Reporteri Ciaran Jenkins, i kanalit Channel 4 News, ka dëgjuar brenda pesë minutash tri herë thirrje: "Le të kthehen në vendin e tyre..."

"Në shënjestër janë kryesisht evropianolindorët, por jo vetëm ata", thotë Liz Fekete, drejtore e Institute of Race Relations. "Ne konstatojmë se edhe gratë myslimane dhe fëmijët janë në shënjestër. Për të rikthyer besimin do të ketë nevojë për shumë kohë."

Sulmet pas Brexit
Sulmet pas BrexitFotografi: Reuters

Rezultatet e fushatës

Shumëkush mendon se këto janë pasojat e një fushate polarizuese para referendumit, ku më së shumti është bërë fjalë për imigrimin. Javët e fundit ka pasur edhe një parullë të partisë anti BE-së, UKIP, ku shihen refugjatët në kufi me Austrinë dhe thuhet: "Breaking Point". Në gjithë vendin mund të shihen edhe parulla: "Halt the German advance: Vote Leave" (Stop depërtimit gjerman - Votoni për daljen).

Kjo retorikë përçarëse po vazhdon. Të hënën titulli kryesor i gazetsës Sun ishte: "Si është fituar Brexit: rrugët plot me dyqane polake dhe fëmijë që nuk flasin anglisht... por tani dëshira për BE-në sërish po shtohet".

Analistët thonë se debati për Brexit-in dhe armiqësinë ndaj të huajve po përkeqëson klimën. "Fushata para referendumit e ka nxitur racizmin", thotë Daniel Trilling, redaktor i gazetës "New Humanist" dhe autor i librave për të djathtën në Britani të Madhe. "Por duhet kuptuar se racizmi në Britani të Madhe ka ekzistuar edhe para referendumit."

Grupet e djathta po përpiqen njëkohësisht që të përfitojnë nga kjo gjendje. Kundërshtarët e BE janë fokusuar tek shumë mite raciste, si për shembull mundësia e anëtarësimit të Turqisë në BE dhe vala më e re e refugjatëve nga Afrika. Por fajtore është edhe politika e qeverisë së kryeministrit David Cameron.

Plagët e shoqërisë

Sadiq Khan
Sadiq KhanFotografi: picture-alliance/AP Photo/K. Wigglesworth

Të hënën Cameron ka denuar veprat armiqësore ndaj të huajve, sikur edhe shefi i laburistëve Jeremy Corbyn. Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan ka kërkuar një politikë të tolerancës zero ndaj gjërave të këtilla. "Ne duhet të kuptojmë se një urrejtje e tillë është e gabuar. Pavarësisht se kush do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme, rruga e intolerancës dhe kundërshtimit të gjërave të këtilla është e vetmja rrugë e drejtë", thotë Nick Lowles, drejtor i organizatës antisemitiste "Hope Not Hate".

Pas vrasjes së deputetes Jo Cox, pak para referendumit, thuhet se vrasësi i saj ka deklaruar para gjykatësve: "Vdekje tradhëtarëve, liri për Britaninë". Shtrohet pyetja, sa të thella janë plagët në shoqëri dhe a do të mund të shërohen shpejt? "Racizmi është shtuar gjatë kësaj fushate", thotë Fekete. "Neve na duhet një përgjigje më efektive e policisë. Edhe politikanët duhet të deklarohen qartë kundër klimës së racizmit. Politikanët e "Leave-Kampagne" kanë një përgjegjësi në veçantë në këtë drejtim dhe ata duhet t'i denojnë këto vepra."