1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtarët gjermanë edhe për një vit në Kosovë

Anila Shuka5 Qershor 2008

Bundestagu e zgjati edhe me një vit mandatin për stacionimin e Bundeswehr-it në Kosovë. Për vazhdimin e pjesëmarrjes së ushtarëve gjermanë në misionin e KFOR-it në një votim nominal thanë po 499, 57 jo dhe 3 abstenuan.

https://p.dw.com/p/EEO2
Ministri gjerman i mbrojtjes Franz Jozef Jung me ushtarët e Bundeswehr-it në PrizrenFotografi: Refki Alija

Deputetë socialdemokratë, unionistë, të gjelbër dhe liberalë paraqitën argumente për domosdoshmërinë e KFOR-it për të ruajtur sigurinë në Kosovë: "Në Kosovë mungon siguria dhe monopoli i pushtetit", tha deputeti socialdemokrat Johannes Jung."

Ai u ankua se nacionalizmi vazhdon të dominojë tek të gjitha grupet. KFOR-i dhe misioni i BE-së janë në këtë kontekst të vetmet garanci që njerëzit nga përfaqësues etnish të kthehen dikur në qytetarë dhe t'u mundësojnë një jetë më të mirë brezave të ardhshëm.

Në emër të liberalëve, Rainer Shtiner (Rainer Stinner), vuri në dukje, se megjithëse fraksioni i tij e mbështet vazhdimin e stacionimit të KFOR-it, nuk do të thotë që ai është i kënaqur me politikën e BE-së në Kosovë: "Përgatitjet për misonin e Eulex-it po tregojnë se BE-ja nuk është në gjendje të veprojë me konsekuencë", u ankua ai. Këto përgatitje kanë ngecur në vend dhe kjo na prish imazhin".

Mariluize Bek (Marieluise Beck) e "Të Gjelbërve" kritikoi "Të Majtën", se me rrefuzimin që ajo i bën mandatit të KFOR-it po i lë në baltë njerëzit në Kosovë: "Detyra e KFOR-it është mbrojtja e të gjitha etnive. Pa të do të plaste një krizë e re, që sërish do të çonte në përndjekje dhe dhunë, tha politikanja e gjelbër.

Në emër të "Së Majtës", Norman Paech, e quajti edhe një herë të paligjshme praninë e ushtarëve gjermanë në Kosovë. Me pavarësimin e Kosovës mandati i stacionimit e ka humbur bazën juridike, tha ai. Një ditë më parë "E majta" kishte ngritur padi pranë Gjykatës Kushtetuese. Grupi i së majtës ishte i vetmi që votoi kundër. Votimi në Bundestag ishte nominal. Të pranishëm gjatë debatit ishin edhe ministri i jashtëm Frank Valter-Shtajnmajer (Walter Steinmeier) dhe ai i mbrojtjes Franz Josef Jung (Franc Jozef Jung).