1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria gjermane në shënjestër të kritikave

8 Shtator 2009

Kritikat ndaj Bundeswehrit gjerman në lidhje me goditjen nga ajri të dy autocisternave në Kundus, janë në qendër të shtypit gjerman të së martës.

https://p.dw.com/p/JVov
Ushtar gjerman në Afganistan pas sulmit në Kundus më 5 shtator 2009Fotografi: AP

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Ishte e drejtë që ministri i Mbrojtjes Jung i mori në mbrojtje trupat gjermane pas sulmit të diskutueshëm në Afganistan. Ato kryejnë atje një mision të vështirë për të mos thënë të pamundur. Por ministri Jung bëri të njëjtin gabim, të cilin bënë edhe ata që e kritikojnë. Ai këmbënguli në një deklaratë, edhe pse për atë moment nuk e dinte me sakstësi se çfarë kishte ndodhur vërtet në Kundus. Deklaratat e pasakta të Jungut nuk do ta ndikojnë rrjedhën e gjërave në Afganistan. Por me to ai u dha opozitës dhe SPD-së mundësitë që ta shfrynin zemërimin e tyre tek ministri, pa pranuar se edhe vetë nuk kanë ndonjë plan më të mirë dhe se tërheqja e menjëhershme nga Afganistani, sikurse kërkon partia "E Majta" nuk është plan."

Gazeta «Mannheimer Morgen» komenton:

"Diferenca e madhe në lidhje me numrin e personave të vrarë të bën të mendosh se këtu po luhet një lojë. Megjithatë është ende e hapur se kush po ia hedh kujt. Në raste të tjera Gjermania ka qenë ajo që ka ngritur gishtin ndaj vendeve të tjera duke kërkuar që mjetet që përdoren t'u përgjigjen rrethanave. Po të shkojmë me arsyetimin se tani Gjermanisë po ia kthejnë me të njëjtën monedhë, i bie që pala amerikane t'i ketë ngritur në rastin aktual një kurth kontigjentit gjerman i ISAF-it. Duhet thënë se të gjitha informacionet optike në lidhje me gjendjen në vend vinin prej burimeve amerikane. E megjithatë nisur prej qëndrimit të Uashingtonit, që në Hindukush të dislokohen trupa të tjerë nga Gjermania, ky do të ishte një veprim tepër i çuditshëm."

«Lübecker Nachrichten» vëren:

"Sulmi ajror dhe pasojat e tij i vjen për shtat vetëm partisë "E Majta", cila si në shumë sektorë të tjerë ofron zgjidhjen më të thjeshtë: të tërhiqemi nga Afganistani, dhe madje menjëherë. Deri të premten e kaluar të gjitha partitë ishin në konses që të mos e përdornin angazhimin e rrezikshëm të ushtarëve gjermanë në Afgansitan si municion të lirë për fushatën elektorale. Por që prej përpjekjes sa arrogante edhe të pasukseshme të ministrit të Mbrojtjes për ta minimizuar problemin e urdhërit me pasoja shumë të rënda, kjo çështje është në krye të axhendës elektorale."

Autor: DPA / Pandeli Pani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora