1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kompania kineze nuk pranon akuzat e qeverisë shqiptare

Ani Ruci'
11 Prill 2019

Trupa e automjete të Ushtrisë janë dislokuar ndërkohë në territorin rreth aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” pas grabitjes një ditë më parë të 10 milionë eurove. Kompania kineze nuk pranon akuzat e qeverisë shqiptare.

https://p.dw.com/p/3GaVQ
Albanien Flughafen Mutter Teresa in Tirana
Fotografi: Getty Images/AFP/G. Shkullaku

Që të mërkurën, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaҫka e bëri të ditur në një deklaratë për mediat se kishte urdhëruar që "në perimetrin e sigurisë së aeroportit të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe të Batalionit Special të Forcave të Armatosura”.

Marrjen nga shteti të kontrollit të perimetrit të jashtëm të aeroportit dhe arësyet e këtij hapi nga shteti i bëri me dije të mërkurën vetë kryeministri Rama, me një postim në median sociale. "Kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi njësoj në garantimin e sigurisë. Shteti shqiptar s'do pranojë asnjë justifikim nga kompania dhe do marrë kontrollin e perimetrit të jashtëm dhe të sigurisë së brendshme,” shkruajti Rama në Twitter.

Kryeministrit Rama, në akuzat ndaj kompanisë kineze China Everbright Limited, (CEL) që ka marrë me konҫesion administrimin e aeroportit, iu bashkuan edhe ministrat e qeverisë së tij që fajësuan kompaninë për neglizhencë dhe mungesë përgjegjësie në garantimin e sigurisë së aeroportit.

Lleshaj: Mekanizmat e sigurisë nuk kanë funksionuar

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj,deklaroi të mërkurën se "mekanizmat e sigurisë, nën përgjegjësinë e kompanisë konҫesionare nuk kanë funksionuar aspak. Ajo nuk ka zbatuar standartet e detyrueshme të sigurisë, të përcaktuara nga legjislacioni vendas dhe Organizata Botërore e Aviacionit Civil”. 

Ministrja e Mbrojtjes Xhaҫka e akuzoi kompaninë kineze CEL "për papërgjegjshmëri të përsëritur në respektimin e detyrimeve ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit". Ndërsa Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, la të kuptohet prishjen e marrveshjes konҫesionare me kompaninë CEL, kur i quajti pronarët dhe menaxherët e saj "Pehlivanë" dhe bëri me dije se "kompania do të përballet me ligjin, ajo ka bërë ndonjë gjë pjesërisht dhe ka vazhduar të mbledhë fitimet pa u shqetësuar për detyrimet. Tani boll".

Edi Rama
Fotografi: DW/A. Shuka

CEL - Aeroporti nuk është i kinezëve

Por kompania kineze CEL i ka hedhur poshtë akuzat e autoriteteve shtetërore shqiptare. Në një deklarateë për mediat ajo i quan ato "të pasakta dhe pa bazë” dhe pretendon që "në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, në tre vitet e fundit,  pas ngjarjes së ngjashme në aeroport në vitin 2016, ka marrë masa shtesë, ka ngritur në një nivel më të lartë sistemin e kamerave dhe gardhin rrethues të aeroportit”.

Por mbrojtjen e tij, thekson CEL, duhet ta bëjë Policia e Shtetit. "Aeroporti nuk është i kinezëve, është i gjithë shqiptarëve. Është pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi,” tha CEL në reagimin e saj  ndaj akuzave të autoritetevre shtetërore. Pas ngjarjes së rëndë të një dite më pare, Policia e Shtetit, do te marrë përgjegjësi edhe në garatimin e sigurisë në aeroport.

Presidenti Meta - drejton gishtin tek institucionet

Arsyet e sigurisë së ulët në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë u trajtuan të mërkurën edhe nga Presidenti Meta, njëherazi Kryetar i Këshillit të Sigurisë. Meta e ka cilësuar grabitjen me armë të 10 milionë eurove në pistën e aeroportit një "cënim serioz të sigurisë kombëtare” dhe ka bërë përgjegjëse institucionet e sigurisë. "Përsëritja e kësaj ngjarjeje brenda një objekti të sigurisë kaq të veçantë është e papranueshme dhe tregues i një mungese të theksuar të funksionimit dhe përgjegjshmërisë së institucioneve të sigurisë” tha Presidenti Meta, në një deklaratë publike.

Albanien Tirana Ilir Meta
Fotografi: Reuters/F. Goga

Ai i kërkoi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që krahas zbardhjes së ngjarjes të hetojë  edhe "për mosmarrjen e masave në përmbushjen e detyrimit ligjor dhe rekomandimeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të nxjerë përpara përgjegjësisë çdo institucion dhe individ që nuk ka kryer detyrën”.

Opozita - dislokimi i ushtrisë antikushtetues

Opozita e quan antikushtetues dislokimin e Forcave Ushtarake për të mbrojtur aeroportin. Kryetari i PD, Luzim Basha, bëri përgjegjës për grabitjen kryeministrin Rama.

”Ai është përgjegjësi kryesor për ngjarjen më të rëndë të sigurisë kombëtare, që në mënyrë të përsëritur ndodhi në Rinas. Ndaj, ndonëse dislokimi i Forcave Ushtarake është antikushtetues dhe i jashtëligjshëm, është një provë e rënies së shtetit dhe e kapitullimit të Policisë së Shtetit" tha Basha.

Deri tani ende nuk ka asnjë njoftim për kapjen e anëtarëve të grupit që grabiti me armë, në pistën e avionit, për 5 minuta, 10 milionë euro. Njëri prej tyre, që dyshohet se ka qenë organizatori, Admir Murataj, u vra ditën e grabitjes, nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, gjatë largimit nga aeroporti, një tjetër i plagosur është arrestuar. Ende nuk ka shifra nga policia, nëse grupi i grabitësve përbëhej nga 4 apo 5 vetë.