1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varfëria i mban romët larg shkollimit

Ajete Beqiraj / Pejë5 Dhjetor 2008

Gjendja e rëndë sociale është ndër arsyet kryesore të mungesës së arsimimit për fëmijët e komunitetit rom, egjiptas dhe ashkalijë, në Kosovë. Në e katërta e tyre nuk ndjekin as shkollën fillore.

https://p.dw.com/p/GA8E
Romët në Kosovë duke festuar ditën e St. Georgut më 07.05.2004 në kampin Plemetina rreth 10 km në veriperëndim të Prishtinës
Romët në Kosovë duke festuar ditën e St. Georgut më 07.05.2004 në kampin Plemetina rreth 10 km në veriperëndim të PrishtinësFotografi: picture-alliance/ dpa

Romi 24 vjeçar, Mehmet Pllana, është më i madhi prej gjashtë fëmijëve në familjen e tij, të cilit për shkak të gjëndjes së rëndë ekonomike, është dashur të ndërpresë shkollimin. „Kam vetëm katër vjet shkollë, kurrgjo tjetër. Më është dashur të punoj, se s´kemi pas kushte… Jemi tetë anëtarë. Vëllezërit e motrat tash shkollohen. Vëllai ka kry klasën e tetë, tjetri të gjashtën, e kështu me rend… Tash kisha dashtë me u shkollu, në Kosovën e lirë e të pavarur, por duhet me punu… Me mbajtë familjen!“

Çift i romëve duke i dhënë karrocës në Prishtinë, 18 nëntor, 2005.
Çift i romëve duke i dhënë karrocës në Prishtinë, 18 nëntor, 2005.Fotografi: AP

Institucionet ndërkombëtare dhe as institucionet vendore në Kosovë nuk disponojnë të dhëna të sakta mbi numrin e romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve të zhvendosur dhe as atyre të mbetur në Kosovë. Por, sipas organizatës joqeveritare, Shoqata në mbrojtje të popujve të rrezikuar (Gesellschaft für Bedrohte Völker), prej 150 mijë antarëve të këtyre komuniteteve, rreth 130 mijë ndërkohë jetojnë si të zhvendosur në Gjermani, Zvicër, Austri, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, Itali dhe në shtetet skandinave. Ndërsa, rreth 15 000-20 000 pjesëtarë të këtyre tri pakicave të mbetur në Kosovë, jetoojnë në kushte të rënda ekonomike. "Mes luftës së përhershme për ekzistencë, interesimi për shkollim bie krejt natyrshëm,"-mendon Gani Toska, kryetar i Iniciativës Qytetare të Romëve të Kosovës.

Kamp i refugjatëve romë nga Kosova në Kraljevo, Serbi
Kamp i refugjatëve romë nga Kosova në Kraljevo, SerbiFotografi: DW

„Atëherë nuk të bie ndërmend për gjë tjetër, veç mendon si me ekzistu. E, ndoshta këtu mund të ndikojë edhe vëtdija, se të gjithë e dimë, se shumica prej komunitetit tonë para luftës ka punuar si hamall, si punëtor krahu, sa për të siguruar bukën për familje. Por, ajo kohë ka kalur dhe nuk kthehet më!“-thotë z.Toska.

Numri më i madh i komunitetit rom, ashkalij dhe egjiptas, rreth 5000, jetojnë në qytetin e Prizrenit. Në Pejë, ndërkohë jetojnë rreth 4000 mijë, dhe sipas Departamentit të Arsimit të kësaj komune, 57 prej tyre punojnë si mësimdhënës. „Mësimin fillor vijojnë rreth 500 nxënës-thotë Gani Toska, i cili punon po ashtu në Zyrën Komunale për Komunitetve, në Pejë. Në shkolla të mesme ndodhen vetëm 25 nxënëse, moshatarët e të cilëve mund të themi sa kanë ndërprerë shkollimin për mungesë mjetesh financiare. Ndërsa, janë 25 studentë të komunitetit RAE, që kanë kryer fakultetin.“

Sipas Drejtorisë së Arsimit në Kuvendin Komunal të Gjakovës, shkollimin e mesëm e ndjekin rreth 75 nxënës të komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptas. Ndërsa, në mësimin fillor ka 8 mësimdhënës dhe 1 341 nxënës të këtyre komuniteteve. Kuvendi Komunal i Gjakovës ka bërë zgjidhje edhe për të 700 të kthyerit e komunitetit RAE, të cilët jetojnë në një vendbanim joformal, rreth dy kilometra në periferi të qytetit.

„Ne kemi marrë hapa edhe në këtë drejtim, -shpjegon kryetari i Kuvendit Komunal të Gjakovës, dr. Pal Lekaj. Kemi kriju klasë të përziera, me mosha të ndryshme dhe krahas arsimimit të këtyre komuniteteve, gradualisht po bëhet edhe integrimi i tyre. Sepse, ne mund të ndërtojmë pallate për ta, por nëse nuk i arsimojmë, çdo gjë do të jetë e kotë!“

Në vitin 2002, një grup intelektualesh të këtij komuniteti, pat kërkuar nga Ministria për Arsim e Kosovës, futjen brënda programit mësimor të lëndës së historisë dhe të kulturës rome. Këtë vit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me hartimin e programit mësimor në gjuhën rome, bëri hapin e parë. Ndërsa, Strategjia për Arsimin Parauniversitar 2007-2017 krijon mundësi për një mësim më aktiv për këto komunitete, fëmijet e të cilëve shkollohen në gjuhën joamtare, varësisht nga vendi ku jetojnë.