1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Vatra" për integrimin në Greqi të të huajve

Niko Anagnosti19 Nëntor 2007

U desh të kalojnë mbi 15 vjet që nga koha e emigracionit masiv kryesisht nga vendet ballkanike, në radhë të parë nga Shqipëria, që qeveria greke të shpallë një program të plotë për integrimin social të emigrantëve.

https://p.dw.com/p/CJHA
Shqiptarë që fluturojnë për Greqi, 2004
Shqiptarë që fluturojnë për Greqi, 2004Fotografi: picture-alliance/ dpa

Emri i programit është konçiz dhe kuptimlotë "Vatra", që siç do të theksohej dhe në promovimin e tij përjell ndjenjën e ngrohtësisë, mikpritjes dhe ekuilibrit në shoqërinë greke. "Objektivi ynë është që shoqëria greke të mund të zhvillohet në kushte barazie dhe demokracie sociale" tha ministri i Brendhshëm Prokopis Pavllopullos, një objektiv që e cilësoi një obligim të një vendi të qyteteruar dhe një risi të këtij programi të plotë të veprimit që i ka munguar vendit këto 10 vitet e fundit.

Rojet detare greke
Rojet detare grekeFotografi: AP

"Duhet të sjellim më afër grekët dhe emigrantët, të jetojmë së bashku në kushte barazie" tha me këtë rast edhe Aleksandros Zavos, presidenti i Institutit Grek për Emigracionin në punën hulumtuese të të cilit bazohen tani të gjitha aktet e veprimit që rrokin pothuajse të gjitha aspektet e jetës dhe të punës: masa dhe aksione politike pra për gjetjen dhe mbajtjen e vendit të punës, për përfshirjen në sistemin arsimor grek por dhe ruajtjen e diversitetit të arsimimit të emigrantëve, për lehtësimin e aksesit të tyre në shërbimet shendetësore, për mbështetjen e kultures dhe krijimtarisë së tyre dhe deri në luftën kundër kriminalitetit me përkujdesjen për viktimat e trafikut apo personave të liruar nga burgu. "Estia (Vatra) do të ketë 6 nënprograme veprimi që do të kenë të bëjnë me sensibilizimin e opinionit publik dhe kufizimin e fenomeneve të racizmit, ksenofobisë dhe margjinalizimit social por edhe lehtësimin e aksesit të tyre në shërbimet e punësimit, arsimimit, shendetësisë, strehimit, kulturës dhe resurseve të tjera publike" na thotë aktivistja e emigracionit Mimoza Miçi.

Logo e lojrare verore, Athinë 2005
Logo e lojrare verore, Athinë 2005

Fondet nuk janë aspak modeste, rreth 16.5 milionë euro që do të investohen në harkun kohor 2007-2013. Pjesa e "luanit" sigurisht që pritet ti shkojë emigracionit shqiptar, i cili sipas të dhënave që paraqiti me këtë rast ministria e Brendshme përbën 58.22% të emigrantëve, kur komuniteti i dytë, ai bullgar, zë 7.56 %.

Zbatimi rigoroz i një programi të tillë sigurisht që do të risë shkallën e integrimit të emigrantëve, që deri tani është bërë në mënyrë spontane dhe në një shkallë bile të admirueshme. Njëkohësisht do të përmirësojë edhe imazhin e Greqisë të kritikuar shpesh në instancat evropiane për politikën e saj defiçitare të integrimit.