1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270809 Russland Arctic Sea

27 Gusht 2009

Edhe pas rishfaqjes së anijes së mallrave "Artic Sea", që konsiderohej e humbur, mbeten shumë pikëpyetje. Autoritetet hetimore të Rusisë e kanë vendosur anijen nën arrest në mënyrë që ta kontrollojnë atë.

https://p.dw.com/p/JJOq
Ekuipazhi i anijes Arctic Sea
Rusia vendos nën kontroll anijen Arctic Sea.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ka kaluar një javë e gjysmë qëkurse trageti i mallrave "Arctic Sea", që transportonte dru dhe konsiderohej si i humbur është rishfaqur. Më 17 gusht marina luftarake ruse, sipas të dhënave të veta, liroi ekuipazhin rus të përbërë nga 15 vetë prej duarve të piratëve. Tetë persona të dyshuar për pirateri u arrestuan. Megjithatë vazhdon të jetë e paqartë, pse anija konsiderohej për tri javë resht e zhdukur, çfarë kishte pasur në bord përveç lëndës drusore dhe nëse vërtetë është kapur në Detin Baltik, cilat kanë qenë motivet e piratëve.

Anija „Arctic Sea“
Rusia, mund ta klasifikojë „Arctic Sea“ si një mjet prove duke e konfiskuar atë deri në procesin gjyqësorFotografi: AP

Historia e "ArcticSea" duket gjithnjë e më e koklavitur

Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Jashtme ruse, pasi marina luftarake ruse e kapi anijen në brigjet afrikano-perëndimore, kapiteni i anijes që lundronte nën flamurin e Maltës tha se anija i përket Koresë së Veriut. Igor Ljakin-Frolov: „Papritur kapiteni deklaroi, se ‚Arctic Sea' është trageti koreano-verior, Tschendin-2. Ambasada ruse në Penjan vendosi kontakt direkt kolegët koreanë për të verifikuar deklaratën e kapitenit. Koreano-veriorët njoftuan, se kjo s' mund të jetë e vërtetë, sepse Tschendin-2 është e ankoruar në portin e Angolës."

Arsyet për këtë qëndrim të çuditshëm janë të paqarta

E sigurtë është, që 11 anëtarë të ekuipazhit prej ditësh po merren në pyetje në Moskë. Zyrtarisht ato konsiderohen si dëshmitarë të rëndësishëm dhe për t' i mbrotjur ata mbahen në një hotel, që ndodhet nën mbikqyrje të fortë. Familjet e tyre, që sipas të dhënave të veta kanë kontakte mjaft të kufizuara me etërit, bijtë dhe bashkëshortët e tyre, po e humbasin gjithnjë e më shumë durimin. Ata duan të shohin dhe të përfaqësojnë më në fund të afërmit e tyre. Ja se si shprehet një familjare: „Edhe sa duhet të presim? Ne pritëm deri sa ata u liruan. Tani ata janë të lirë. Na i ktheni burrat tanë!“

Anija „Arctic Sea“
Vazhdojnë enigmat për „Arctic Sea“Fotografi: AP

Kundër tetë të dyshuarve si piratë ndërkohë është lëshuar urdhër-arresti. Të gjithë përbetohen për pafajësinë e tyre. Fillimisht ata e paraqitën veten si ambjentalistë, që ishin në rrezik në det të trazuar, më pas të afërmit e tyre njoftuan në televizionin estonez, se tetë personat vetëm kishin dashur të udhëtonin pa shpenzime përmes Detit Baltik për në Spanjë, ku donin të kërkonin punë. Avokatët mbrojtës të tyre thonë, se në asnjë moment klientët e tyre nuk kanë pasur armë.

Ata nuk kanë patur armë

Të mërkurën (26.8.) u vendos zyrtarisht nën arrest edhe anija „Arctic Sea“, bëhet e ditur. Prokuroria ruse e quajti këtë një kusht të nevojshëm për kontrollin rrënjësor të planifikuar të anijes. „Arctic Sea“ ndërkohë po tërhiqet nga porti i Detit të Zi Novorosijsk. Në bord janë kapiteni dhe dy anëtarë të ekuipazhit.

Ndërkohë janë shtuar spekulimet, sipas të cilave përveç lëndës drusore në vlerën rreth një milionë euro, në bord ka pasur edhe ngarkesë të rëndësishme. Dyshohet, se në bord ka pasur edhe armë. Ndër të tjera bëhet fjalë edhe për Cruise Missile të prodhimit sovjetik. Ambasadori rus në NATO, Dmitri Rogosin, i përgënjeshtroi energjekisht këto hamendësime, megjithatë instanca të ndryshme qeveritare theksuan të mërkurën njëkohësisht nevojën për hetime të mëtejshme, pasi „Arctic Sea“ të mbërrijë në fillim të shtatorit në Detin e Zi. Nga prokuroria mësohet, se mund të thuhet definitivisht që anija ka qenë e ngarkuar me me lëndë drusore. Edhe Igor Ljakin-Frolov nga Ministria e Jashtme ruse deklaroi në televizion: „Kontrolli i parë lidhur me ndonjë ngarkesë të dyshimtë nuk pati asnjë rezultat. Do të bëhet edhe një kontroll tjetër më me kujdes.“

Arctic Sea“ mjet prove

Për shoqërinë e lundrimit, kjo do të thotë që duhet të llogarisë me një kohë të gjatë derisa ta marrë sërish anijen në dorëzim. Në bazë të Konventës për të Drejtat në Det të OKB-së, Rusia, sipas të dhënave të prokurorisë, mund ta klasifikojë „Arctic Sea“ si një mjet prove duke e konfiskuar atë deri në procesin gjyqësor.

Autor : Heide Rasche / Vilma Filaj - Ballvora

Redaktoi : Aida Cama