1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon brutaliteti i regjimit sirian

9 Shkurt 2012

Në Siri regjimi vepron me brutalitet kundër kundërshtarëve. Në qendër të sulmeve vazhdon të jetë qyteti Homs. OKB-ja mendon të nisë një mision të ri vëzhgues në Siri.

https://p.dw.com/p/1408x
Një banesë e shkatërruar në Homs
Një banesë e shkatërruar në HomsFotografi: picture-alliance/dpa

Nuk ka shenja, që forcat siriane të sigurisë do të ndërpresin sulmet në qendrën e kryengritjes kundër Assad-it. Tanke dhe ushtarë kanë rrethuar qytetin milionësh Homs që të premten në mbrëmje dhe qëllojnë lagje të ndryshme. Sipas banorëve trupat qeveritare depërtuan në mënyrë sporadike në qytet, por janë tërhequr përsëri. Nga Homsi depërtojnë vetëm fragmente informacionesh. Mediat shtetërore mohojnë sulmet e ushtrisë, bëjnë përgjegjës terroristët për situatën e ngjashme me luftën civile në Homs. Ashtu siç bëjnë që prej fillimit të kryengritjes kundër Assadit para njëmbëdhjetë muajsh.

Luftë kundër popullit të vet

Banorët e lagjeve, ku regjimi dyshon për rezistencë, kanë frikë se sulmi i ushtrisë mund të pasohet nga ofensiva e trupave të këmbësorisë. Atje sipas informacioneve të qytetarëve nuk ka rrymë, ujë dhe ushqime. Vazhdimisht aty bien raketa. Nuk ka shtëpi, që të ketë mbetur e padëmtuar, madje edhe spitalet. Ilaçet nevojiten urgjentisht. Ka shumë pak mjekë. Të shpëtosh të plagosurit është shumë e rrezikshme. Snajperët kërcënojnë njerëzit. Një qytetar e përshkruan në një video të opozitës kështu situatën në Homs: "Këtu është kati i parë i një shtëpie në Baba Amr, thotë aktivisti Dany nga Homs. Civilët po marrin arratinë nga qeveria e tyre. Ajo bombardon shtëpitë e tyre dhe u vret fëmijët. Ky nuk është sulm i një fuqie të huaj, por sulm i udhëheqjes së tyre, që do të vrasë njerëzit. Fëmijët goditen nga plumbat. Aktivisti thotë se kjo nuk është jetë, kur duhet të fshihesh nga qeveria jote. Dhe OKB-ja, ashtu si Liga Arabe na kanë braktisur, thotë Dany."

Banorët kanë frikë nga ofensiva e këmbësorisë
Banorët kanë frikë nga ofensiva e këmbësorisëFotografi: dapd

"Bota të mbrojë popullin sirian."

Prandaj e ngarkuara e OKB-së për të drejtat e njeriut Navi Pillay kërkoi të mërkurën (08.02.) që bota të mbrojë popullin sirian. Vetoja e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit ishte shpëtim për presidentin sirian Bashar al-Assad. Pas bisedimeve me shefin e Ligës Arabe, Nabil al-Arabi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon synon vazhdimin dhe zgjerimin e misionit vëzhgues në Siri me pjesëmarrjen e OKB-së, i cili dështoi në janar.

"Në një moment kaq vendimtar uniteti është më i nevojshëm se kurrë. Shumë premtime u shkelën, edhe në 24 orët e fundit. Unë jam i bindur, se situata e përkeqësuar në Siri nuk mbetet pa pasoja për rajonin." Pjesë të opozitës siriane bëjnë thirrje për një intervenim të huaj në mbrojtje të popullsisë. Opozitarë në Homs duan ta marrin fatin e tyre në dorë dhe kërkojnë të drejtën e tyre për vetëmbrojtje. Perëndimi dhe shtetet arabe e pëjashtojnë deri tani mundësinë e një intervenimi, ndërsa vizita e ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov në Siri solli vetëm propozime të njohura të padobishme për zgjidhjen e konfliktit dhe i forcoi pozitat Asadit.

Komisarja e lartë e OKB-së, Navanethem, Navi Pillay.
Komisarja e lartë e OKB-së, Navanethem, Navi PillayFotografi: picture alliance / dpa

Autorë: Ulrich Leidholdt / Angjelina Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti