1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon greva e opozitës në Shqipëri

10 Maj 2010

Në Shqipëri situata politike mbetet e acaruar me mosmarrëveshje të thella mes mazhorancës dhe opozitës. Gjithshka është fokusuar tek një grevë urie e rreth 200 deputetëve dhe mbështetësve të opozitës.

https://p.dw.com/p/NKGw
Foto nga protesta e opozitës në Tiranë
Foto nga protesta e opozitës në TiranëFotografi: DW

Deri tani nga drejtuesit kryesorë të mazhorancës dhe të opozitës ka patur vetëm deklarata për mostërheqje nga qëndrimet e tyre. Nga e premtja e kaluar presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka nisur përpjekjet për të rigjallëruar procesin e dialogut mes palëve. Për këtë, kreu i shtetit krahas kontakteve me faktorët e brendshëm politikë ka përfshirë dhe diplomatët e huaj më të rëndësishëm të akredituar në Tiranë. Nëse përpjekja e Bamir Topit do të ketë rezultat, kjo do të shihet në vijim të kësaj jave, kur ai pritet të takohet dhe me dy udhëheqësit kryesorë politikë, kryeministrin Sali Berisha dhe shefin e opozitës Edi Rama.

Greva e urisë - element presioni

Për analistin Lutfi Dervishi zgjatja e situatës pa kompromis e zgjidhje ka një arsye. Kjo sipas tij është ngarkesa emocionale, që shkakton greva e urisë e rreth 200 mbështetësve të opozitës, mes tyre dhe deputetëve socialistë. Greva e urisë përpara selisë së qeverisë është një vatër e përhershme, që rrit temperaturën politike dhe e bën gjithmonë e më të vështirë zgjidhjen, thotë ai për DW.

“Duke patur një vatër presioni është gati e pamundur që palët të ulen në tavolinë. Po në anën tjetër palët duhet të ulen në tavolinë se duhet të ketë një zgjidhje. Cilado qoftë ajo, sado kohë do të marrë, ajo do të vijë një ditë. Ajo që është e dukshme është mungesa e besimit, që ekziston mes palëve. Është një mungesë e madhe besimi, që çon gati në paranojë për qëndrimet e tjetrit. Për mendimin tim, rrënjët e kësaj krize janë tek ndryshimet kushtetuese që u bënë në mars të vitit 2008-s dhe tek ndryshimi i sistemit zgjedhor. Shqipëria është e papërgatitur politikisht dhe i mungon pjekuria për të patur një parlament me dy forca të mëdha”.

Analisti Lutfi Dervishi flet për DW
Analisti Lutfi Dervishi flet për DWFotografi: DW

Lutfi Dervishi thotë se kjo formulë do të vijojë të prodhojë rezultat me diferencë të vogël mes dy partive kryesore, nga proceset zgjedhore, çka e bën të vështirë realizimin e reformave thelbësore. “Kur dihet se p.sh., reformat në drejtësi kërkojnë që të votohen në parlament me shumicë të cilësuar, pra kur duhen dhe vota dhe nga partia opozitare”. Sa i takon zgjidhjes së krizës politike, analisti Dervishi e shikon atë si një kombinim mes ndërhyrjes ndërkombëtare dhe nevojës që vjen nga brenda politikës për të kapërcyer gjëndjen absurde. Sepse nga kjo prodhohet vetëm një imazh me efekte negative për Shqipërinë, thotë ai për DW.

“Duhet menduar për një zgjidhje pa të mundur, d.m.th duhet menduar për një rrugëdalje, që mos të shpallen fitues dhe humbës. Por të ketë një zgjidhje, ku të fitojnë të dy palët dhe fiton vendi”

Palët përgatiten për konflikt të gjatë

.Arben Rozhani, komentator politik në të përditshmen “Shekulli” e shikon në vendnumëro konfliktin mes mazhorancës dhe opozitës për problemin e transparencës së zgjedhjeve. Ai argumenton për DW se arësye për këtë është një lloj familjarizimi që ka nga të dy palët me qëndrimin e njeri tjetrit.

Analisti Arben Rozhani flet për DW
Analisti Arben Rozhani flet për DWFotografi: DW

“Nuk parashikoj një zgjidhje të shpejtë. Nuk parashikoj që qeveria “të dorëzohet”, ashtu sikundër dhe opozita “të dorëzohet”. Kjo gjendje do të vazhdojë kështu, sepse po të shikojmë me vëmendje dhe deklarimet e opozitës në bulevard, ku ka lajmëruar një meting tjetër më 14 maj, d.m.th që vetë opozita e parashikon që qeveria është e palëkundur. Shpresoj tek tryeza e presidentit, tek ndërhyrjet e sforcuara të ambasadorëve këtu, qoftë të ambasadorit të KE, zotit Lohan, qoftë ambasadorit amerikan, që ka qënë mjaft aktiv, ose ambasadorët e vendeve të tjera. Shpresoj që të ndërhyjnë sa nuk është vonë”.

Rozhani pret që Presidenti Bamir Topi t'u ofrojë dy liderëve kryesorë Berisha dhe Rama ndonjë formulë të re nga ajo e negociatave rreth tre muaj më parë. “Ndoshta që hetimi i zgjedhjeve të fundit paralamentare të përfshijë të paktën dokumentacionin shoqërues të kutive të votimit, procesverbalet, listat e votuesve etj., Kjo do të jetë një lëvizje që mund ti verë palët në pozita të barabarta”, shprehet Arben Rozhani për DW.

Autor: Arben Muka/Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi