1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vdiq "Gandhi i Kosovës"

Fadil Gashi, Prishtinë21 Janar 2006

Pas një sëmundje të rëndë katër mujore sot në Prishtinë, në moshën 61vjeçare ka vdekur Kryetari i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

https://p.dw.com/p/AqgO
Fotografi: dpa

Lajmi i vdekjes së presidentit Rugova për Dojçe Velen është konfirmuar nga zëdhënësi i Presidencës së Kosovës Muhamet Hamiti:

“ Po, sot para dite, në orën 11:38 minuta, presidenti i Kosovës, dr. Ibrahim Rugova ndërroi jetë pas një lufte me kurajo dhe dinjitet, që bëri duke luftuar kancerin në mushkëri, i cili ishte diagnostifikuar nga fundi i verës”.

Ndërkaq, në një komunikatë zyrtare, lëshuar nga Presidenca e Kosovës thuhet se: “Presidenti Rugova ndërroi jetë në shtëpinë e vet në Prishtinë, duke pasur përreth familjen e tij, mjekun personal me stafin ndihmës nga vendi, si dhe mjekë amerikanë. Ai ndërroi sot jetë në fazën terminale të sëmundjes primare, pasi luftoi këtë sëmundje gjithë këta muaj me guxim të pashoq dhe moral të lartë.”

Lajmi për vdekjen e Kryetarit të Kosovës ka goditur gjithashtu opinionin e gjerë kosovar dhe është pritur me pikëllim të thellë. Presidenti Rugova ishte diagnostifikuar me sëmundjen e kancerit në shtatorin e vitit të kaluar, në një spital amerikan në Gjermani. Që atëherë ai është trajtuar vazhdimisht në shtëpinë e tij nga mjekë personalë.

Presidenti Rugova vdiq në çastin vendimtar, në vitin kur pritej zgjidhja e statusit final të Kosovës, që sipas tij duhet të jetë pavarësia. Për pesëmbëdhjetë vjet, pavarësia e Kosovës ka qenë moto në gojën e tij.

Presidenti Rugova ka qenë edhe kryesues i Grupit Negociator për zgjidhjen e statusit final në bisedimet për Kosovën, që është dashur të fillojnë me 25 janar në Vjenë të Austrisë me ndërmjetësim ndërkombëtar.

“Rugova - Gandi i Kosovës”

Presidenti Rugova gjatë karrierës së tij politike është angazhuar vazhdimisht për zgjidhjen paqësore të problemit të Kosovës. Me të drejtë ai është krahasur me Mahtama Gandhin dhe me Martin Luter Kingun, ndërsa udhërrëfyes ka pasur nobelisten shqiptare Nëna Tereze.

Ibrahim Rugova, Preisdenti i parë i Kosvës së lirë dhe demokratike u lind më 2 dhjetor të viti 1944 në Cercë të Istogut, në perëndim të Kosovës. Disa javë pas lindjes së tij komunistët serbë i arrestuan dhe ekzekutuan të atin dhe gjyshin me motivacion se ishin nacionalistë dhe bashkëpunëtarë të nazistëve.

Ibrahim Rugova ka doktoruar në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa studimet i ka ndjekur një kohë edhe në Paris tek profesori i Kritikës Letrare, Roland Bart.

Në vitin 1989 dr. Rugova është zgjedhur kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Si një reaksion kundër suspendimit të autonomisë së Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në dhjetor të vitit 1989, formohet Lidhja Demokratike e Kosovës. Njeriu që gjithmonë në qafë mbante shallin e mëndafshtë dr. Rugova zgjidhet kryetar i kësaj partie të parë politike të shqiptarëve të Kosovës. Pas shkatërimit të Jugosllavisë më 1991 Rugova ishte në krye të Lëvizjes për pavarësinë e Kosovës deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999 nga trupat e NATO-s.

Në mars të viti 1999, pas masakrave të policisë dhe ushtrisë serbe, NATO sulmoi me forca ajrore Serbinë. Presidenti Rugova atë kohë ndodhej në Prishtinë dhe është internuar nga policia serbe. Në fillim të majit ai lirohet me ndërmjetësimin italian dhe udhëton për në Itali. Në Kosovë Presidenti Rugova kthehet pas përfundimit të luftës dhe hyrjes së KFOR-it.

Presidenti Rugova përveç tjerash është i njohur edhe për krijimin e shtetit paralel në Kosovë, veçmas në fushën e arsimit. Kjo ka qenë nga sfidat e tij më të mëdha përballë Sllobodan Millosheviqit.

Kritkët e tij: “Kapriçioz dhe difensiv”

Nga kritkët e tij, Kryetari Rugova shpesh është cilësuar si një figurë e diskutueshme. Disa nga bashkëpunëtorët e tij e kanë akuzuar disa herë për kapriçio sa i përket qëndrimeve të tij poltike. Shumë nga bashkëpunëtorët e tij në të kalurën të pakënaqur janë larguar nga LDK dhe kanë formuar të tjera parti poltike.

Në Zgjedhjet e para Parlametnare Demokratike në Kosovë, në vitin 2002, Lidhja Demokratike fitoi shumicën dhe në mars të këtij viti dr Rugova u zgjodh Kryetari i parë i Kosovës. Edhe në zgjedhjet e vitit 2004 LDK-ja doli partia më e fortë. Me ndihmën e partisë në koalicion AAK dr. Rugova u rizgjodh përsëri në vitin 2005 President i Kosovës. Ai ishte bartës i disa çmimeve ndërkombëtare.