1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vdiq papritur portieri i Gjermanisë Robert Enke

10 Nëntor 2009

Robert Enke, portieri i ekipit Hanover 96 dhe i Kombëtares gjermane në futboll, vdiq në një fatkeqësi hekurudhore në moshën 32-vjeçare.

https://p.dw.com/p/KTY6
Robert EnkeFotografi: AP

Këtë lajm konfirmoi kryetari i klubit, Martin Kind të martën vonë. Deri tani nuk ka të dhëna konkrete për shkaqet e vdekjes së njërit prej portierëve më të mirë në Gjermani. Mirëpo agjencitë e lajmeve citojnë disa burime policore sipas së cilave ekziston mundësia që Robert Enke të ketë bërë vetëvrasje. Në kumtesën e policisë thuhet se trupi i tij i pajetë është gjetur pranë një kalimi hekurudhor, në Neustat - Eilvese, ku sipas të gjitha gjasave është goditur për vdekje prej një treni. Pohimet për mundësinë e vetëvrasjes konfirmoi edhe përfaqësuesi për shtyp i policisë në Hanover Stefan Wittke. "Mund ta konfirmojë lajmin se Robert Enke nuk jeton më , por nuk i di rrethanat e vdekjes", deklaroi miku dhe këshilltari i tij Jörg Neblung.

Robert Enke Flash-Galerie
Humbje e madhe për kombëtaren gjermaneFotografi: AP

Ndërsa kryetari i Hanoverit Martin Kind u shpreh jashtëzakonisht i tronditur. "Njeriu llogarit shumë gjëra, por jo gjëra të tilla", deklaroi ai për agjencinë e lajmeve DPA. Kind tha se nuk i di shkaqet e vdekjes së Robert Enkes, por u shpreh i bindur se kjo nuk ka të bëjë me futbollin. Robert Enke ka pasur para ca kohësh një infektim bakterial dhe për këtë shkak u detyrua të largohet nga futbolli për disa javë. Për shkak të këtij infektimi nuk ka luajtur as në katër ndeshjet e fundit të kombëtares gjermane, por ai ishte një prej kandidatëve kryesorë për kampionatin e ardhshëm botëror, i cili vitin e ardhshëm mbahet në Afrikën e Jugut. Kryetari i klubit të Hanoverit Martin Kind, bëri të ditur se Robert Enke kohët e fundit psikikisht nuk ishte tepër stabil, sepse ai dhe bashkëshortja e tij para dy vitesh kanë humbur vajzën dy vjeçare, e cila vdiq nga një sëmundje në zemër.

Lajmi tragjik ka tronditur edhe lojtarët dhe trajnerët e Kombëtares gjermane e cila po zhvillon në Bon përgatitjet për ndeshjen miqësore të shtunën me Kilin. Për vdekjen e Enkes lojtarët u njoftuan prej trajnerit të kombëtares Joachim Löw dhe menaxherit Oliver Bierhoff. Të gjitha ata u shprehën të shokuar.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Auron Dodi