1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendim konsekuent, por arritja e efektit i pasigurtë

Klaus Dahmann4 Maj 2006

Bashkimi Evropian i bllokoi bisedimet me Serbinë dhe Malin e Zi për marrëveshjen e asociimit dhe stabilizimit. Këtë e bëri të ditur të mërkurën komisari i zgjerimit, Oli Rehn, pas takimit që pati me kryeprokuroren e Tribunalit të Hagës për Krime Lufte, Karla del Ponte në Hagë.

https://p.dw.com/p/Aqq8
Hijet e të kaluarës. Pllakata të Mlladiçit në Beograd
Hijet e të kaluarës. Pllakata të Mlladiçit në BeogradFotografi: AP

Nuk ka asnjë diskutim: kryeministri i Serbisë, Vojislav Kostunica e ka rimenduar në një masë të konsiderueshme qëndrimin e tij të mëparshëm refuzues ndaj Tribunalit të Hagës për krime lufte. Madje edhe kur ishte ende president i Jugosllavisë ai kundërshtonte, ndonëse kot, dorëzimin e Slobodan Miloshevicit. Ndërkohë ai i pranon detyrimet, të cilat ka vendi i tij dhe këtu bën pjesë edhe bashkëpunimi i pakufizuar me Tribunalin e Hagës. Prej vitit 2004, në Beograd ekziston edhe një gjykatë speciale, e cila u kërkon llogari për krime lufte ushtarakëve serbë, dhe kjo me bekimin e Tribunalit të Hagës. Një shenjë e qartë besimi.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për dy emrat e "mëdhenj", pikërisht Radovan Karaxhiçin dhe Ratko Mladiçin - atëherë del në pah se për kryeministrin serb është më e rëndësishme ruajtja e pushtetit të tij. Sepse akulli, mbi të cilin lëviz ai është i hollë: qeveria e tij e minoritetit mbështetet prej socialistëve, prej asaj partia, kandidati kryesor i së cilës në zgjedhjet e kaluara quhej ende Sllobodan Milosheviç. Kjo parti e mbështet po njësoj Mladiçin dhe Karaxhiçin si edhe forca më e madh opozitare në parlament, Partia Radikale ultranacionaliste. Kjo parti ka atë pjesë të popullatës pas vetes, e cila i nderon si heronj lufte dy të kërkuarit. Simpatizantë ka edhe në radhët e policisë dhe ushtrisë, gjë që e vështirëson edhe më shumë përndjekjen e suksesshme dhe dorëzimin me detyrim të Mladiçit dhe Karaxhiçit.

Por, megjithë mirëkuptimin që mund të kesh për gjendjen e Koshtunicës: është vetëm konsekuente dhe e drejtë që BE i ndërpreu sërish bisedimet për një marrëveshje asociimi. Ky nuk është ultimatumi i parë që ka lënë të skadojë qeveria e Serbisë, pa iu afruar edhe një centimetër më shumë dorëzimit të Mladiçit. Për të mos folur fare për ndonjë dorëzim të Karaxhiçit.

Ajo që fshihet pas këtij hapi të BE vërtet që nuk është ndonjë kërcënim i mirëfilltë, por një realitet i pastër: Distanca e Serbisë dhe Malit të Zi ndaj Kroacisë dhe Maqedonisë në rrugë për në BE po rritet nga dita në ditë. Veç kësaj, në kryeqytetet evropiane po ngrihen gjithnjë e më shumë zërat, që kërkojnë një ndalim shumëvjecar të të gjitha fantazive të zgjerimit të BE. Vërtet që treni për në Bruksel nuk është nisur ende, por rrotat po nisin shpejt të rrotullohen. Dhe kur do të vijë treni tjetër, kjo është e pasigurtë.

Këtë mund të përpiqen ta largojnë nga vështrimi të gjithë ata që në padijen kundër Mladiçit dhe Karaxhiçit në Hagë shohin një komplot të përbotshëm kundër gjithë popullit serb- por faktin ata nuk janë në gjendje ta ndryshojnë. Dhe mjerimi ekonomik, që shtyn shumë serbë të rinj në botën e jashtme, të bën të mendosh më tepër të kundërtën: kundër së mirës së popullit punon pikërisht ai që mbron Mladiçin dhe Karaxhiçin. BE mund t'ia dalë mbanë shumë mirë pa Serbinë dhe Malin e Zi- por Serbia dhe Mali i Zi nuk është në gjendje të dalë nga gjendja e saj e mjerueshme pa BE.