1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Venitet revolucioni "i portokalltë"

Horst Kläuser21 Shtator 2005

Presidenti i Ukrainës, Viktor Jushçenko ka pësuar disfatë të rëndë politike. Parlamenti refuzoi kryeministrin e ngarkuar nga kryetari i shtetit, Juri Jechanurov.

https://p.dw.com/p/AqtJ
Juri Jechanurow, kandidati i dështuar për kryeministër të Ukrainës
Juri Jechanurow, kandidati i dështuar për kryeministër të UkrainësFotografi: AP

Pushteti po tronditet, shkëlqimi i revolucionit të portokalltë është venitur. Pas vetëm nëntë muajve, presidenti karizmatik i Ukrainës nuk është në gjendje të arrijë as miratimin e kandidatit të vet për postin e kryeministrit. Të martën pasdite, specialisti për çështjet ekonomike Juri Jechanurov, të cilin Jushçenko e pati caktuar pasardhës të kryeministres së shkarkuar, Julia Timoshenko, mezi arriti të marrë 223 vota të deputetëve të Rada-s, parlamentit të Kievit. 226 do të ishin nevojitur. Më parë, presidenti pati bërë edhe njëherë reklamë për ekipin e tij qeveritar.

"Sot nuk iu bëj thirrje për intriga, për luftë, duke e copëtuar vendin dhe duke luftuar kundër njëri-tjetrit ose duke kërkuar që disa pak njerëzve t'u gjesh vende pune. Dua të flas me korrektesë me ju, për interesat e kombit dhe të shtetit." Por shumë thellë ka zënë rrënjë zhgënjimi, sepse reformat nuk po avancojnë dhe ekonomia e vendit ka ngecur në vend. Kundër Jushçenkos votoi jo vetëm blloku politik i Julia Timoshenkos, por edhe fraksioni i Viktor Janukoviçit, i kandidatit të dështuar si president. Raisa Bogatyrjova, kryetarja e fraksionit e shpjegon kështu këtë hap:

"Për aq kohë sa aparati i pushtetit nuk vendos të mbështesë reformat politike, për aq kohë ne nuk do të marrim dot ndonjë vendim, për ta mbështetur kandidaturën e kryeministrit. Nuk është fjala për persona, bëhet fjalë për pozicione politike."

Edhe kolegu i saj, Nestor Shufric e kërkon fajin tek Jushçenkoja:

"Shumë vetë e patën parashikuar këtë rezultat. Ne pamë, se si Viktor Jushçenko u bë aktiv në këtë proces në minutën e fundit. Fakti që kandidatura e paraqitur nga Jushçenko nuk fitoi, flet për krizë politike në vend dhe se Viktor Jushçenko nuk gëzon besim as në parlament dhe as në shoqërinë ukrainase."

A është ky fundi i Jushçenkos? Prokurori i përgjithshëm nisi një proçedurë penale kundër disa ish-këshilltarëve të ngushtë dhe anëtarëve të kabinetit të tij, por jo kundër Julia Timoshenkos. Dhe ajo ka bërë të ditur, se do të bëjë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare politikë kundër partnerit të saj të dikurshëm, Jushçenko.