1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vetëm një debat emocional dhe jo politik? - Shpërbëhet monumenti përkujtimor në Checkpoint Charlie në Berlin

Bernd Gräßler5 Korrik 2005

Kushdo që kërkon sot të shohë gjurmë të murit të Berlinit, i cili mbajti të ndarë për 28 vjet me radhë këto qytet mundohet më kot.

https://p.dw.com/p/Ar3G
Punëtorë duke hequr kryqet përkujtimorë për viktimat e murit të Berlinit
Punëtorë duke hequr kryqet përkujtimorë për viktimat e murit të BerlinitFotografi: AP

Vetëm në rrugën Bernauer dhe në të ashtuquajturën "East Side Gallery" ka ende disa fragmente të murit të Berlinit. Gjithësesi ka shumë që mendojnë se këto fragmente të murit nuk janë të mjaftueshme për të përkujtuar mbi 1.000 viktimat që gjetën vdekjen në përpjkeje e sipër për t'u arratisur në perëndim. Për këtë drejtoresha e muzeut privat "Checkpoint Charlie", Alexandra Hildebrand, ngriti me iniciativën e vet një ambient përkujtimor të përbërë nga mbi 1.000 kryqe dhe një imitim të murit të Berlinit. Për këtë ajo mori për disa vjet me qera një copë truall në qendër të Berlinit.

Tani kontrata ka marrë fund dhe të zotët e këtij trualli duan t'ia japin për shfrytëzim atë të tjerëve që u ofrojnë më shumë para. Megjithëse shumëkush mendon se shqyrtimi i historisë së të kaluarës së komunizimit në ish-RDGJ nuk ka marrë fund gjykata e Berlinit vendosi që trualli të lirohet pra që momumenti në fjalë të shembet.

Një çift turistësh nga SHBA-të qëndron disi i hutuar përpara ish-pikës së vendkalimit kufitar "Checkpoint Charlie" në Berlin, ku për vite me radhë qëndronin përballë njëri-tjetrit kufitarët gjermanolindorë nga njëra anë dhe GI-të amerikanë nga ana tjetër. Sot si atëhere para 15 vjetësh ky pikëkalim është i mbyllur.

"Jo, nuk e di ç'ka ndodhur. Ja, duhet të kaloni aty poshtë dhe pastaj të ktheheni djathtas. Po viza, a i keni vizat që të kaloni për në Berlinin Perëndimor?" - u thotë një kalimtar.

Po turistët amerikanë nuk e kuptojnë shakanë me vizën dhe nuk qeshin. Po për të qeshur nuk u vjen as berlinezëve që janë mbledhur këtu për të protestuar ndaj aksionit të policisë për shembjen e monumentit përkujtimor.

Ndërsa një grup punëtorësh zhvidhosin vidat me të cilat janë fiksuar 1.065 kryqet në kujtim të atyre që gjetën vdekjen në përpjekje për të kaluar kufirin mes Gjermanive, nismëtarja e këtij monumenti të pazakontë, Alexandra Hildebrand, mezi e përmban veten duke parë këtë aksion shkatërrues: "Kjo që po ndodh këtu është turp. Marrëzi, pa asnjë shkak, pa asnjë kuptim".

Një grua në moshë mundohet ta ngushëllojë duke i recituar disa vargje që i ka thurur vetë për ata që humbën jetën në murin e Berlinit dhe për nismën e zonjës Hildebrand. Të tjerë protestojnë. Armin Mattes, një nga ata që arriti të arratisej duke kaluar në pikën e kontrollit "Checkpoint Charlie" me një uniformë amerikane që e kishte sajuar dhe qepur vetë, thotë se është tepër i prekur për prishjen e këtij monumenti duke shtuar: "E gjitha kjo është vërtet për të vjellë!"

Disa ish-të burgosur të RDGJ-së u lidhën me zinxhirë në disa prej kryeqeve për të mos i lejuar përmbaruesit t'i hiqnin ato. Por policia i largoi.

Senati i Berlinit duke argumentuar aksionin e shkatërrimit të këtij monumenti përkujtimor u shpreh se ka një koncept tjetër për të përkujtuar viktimat e murit. Pikërisht në "Checkpoint Charlie", ku në tetor të vitit 1961 ndodheshin përballë njëri-tjetrit tanket amerikane dhe sovjetike dhe mund të shpërthente një luftë e tretë botërore, do të ngrihet një muzeum i luftës së ftohtë. Ky muzeum do të ngrihej në bazë të një koncepti shkencor dhe jo në mënyrë spontane si monumenti me kryqet.