1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vietnami: Po hapjes drejt perëndimit, jo ndryshimit të sistemit komunist

Joachim Hagen21 Maj 2007

Presidenti gjerman, Horst Këhler ka filluar vizitën një javore në kontinentin aziatik. Stacioni i parë është Vietnami, mjaft i përfolur për gjendjen e rëndë të të drejtave të njeriut.

https://p.dw.com/p/AqmC
Vietnami- bum ekonomik
Vietnami- bum ekonomikFotografi: AP

Meshë katolike në katedralen Va Tiem në veri të Vietnamit. Kisha e ndërtuar para 100 vjetësh ka mjaft vizitorë, shumica e të cilëve janë të rinj. Gati çdo i 15-ti vietnamez është katolik. Pakicat fetare shihen vëngër nga partia komuniste. Kushtetuta e Vietnamit garanton të drejtën mbi lirinë e besimit, por qeveria thotë fjalën e fundit për zgjedhjen e arqipeshkvit po ashtu edhe tek përzgjedhja e studentëve të teologjisë.

Pyetjes nëse klerikët katolikë janë në numër të mjaftueshëm prifti Guyen Hon Fog i përgjigjet shkurt: "Shteti përkujdeset që ne të kemi priftërinj aq sa duhet. Pas dhjetë vjetësh gjendja do të jetë më e mirë."

Nga pakica katolike vjen edhe njëri nga disidentët më të njohur të Vietnamit. Padre Nguyen van Li nga ish-qyteti mbretërore Hue. Para tre javësh ai u dënua me tetë vjet burg për propagandë kundër regjimit. Në sallën e gjyqit ai kërkoi lejimin e sistemit pluralist. PadreNguyen nuk është i vetmi. Gjithsej shtatë disidentë janë dënuar në javët e shkuara, ndër ta avokatë dhe aktivistë për të drejtat e njeriut. Shtypi vietnamez raporton me hollësi. Mesazhi është i qartë: Po hapjes drejt perëndimit, por kush e vë në dyshim sundimin e partisë komuniste do të përndiqet.

Vietnami është një nga të ashtuquajturit tigrat e vegjël të Azisë. Vitet e shkuara rritja ekonomike ka kapur shifrën 7 përqind. Që nga pranimi i Vietnamit në Organizatën Botërore të Tregtisë para disa muajsh, ekonomia po rritet me hapa më të shpejtë. Por bumi ekonomik nuk i ka prekur të gjitna rajonet e vendit. 80 përqind e vietnamezëve jetojnë në kasolle bambuje pa rrymë elektrike dhe ujë të pijshëm.

Megjithatë protestat kundër sundimit të pakufizuar komunist nuk rrezikojnë të vinë nga shtresa e varfër, por nga shtresa e mesme e shkolluar. Për këtë arsye autoritetet janë të pamëshirshëm me këtë shtresë. Frika e tyre është shembulli sovjetik, në rast se partia do të humbiste pushtetin, atëherë gjendja mund të dilte jashtë kontrollit, thonë funksionarët e lartë. Në mënyrë indirekte këtë frikë e shprehur edhe zëvendëskryeministri i Vietnamit, Vu Quan në në intervistë:

"Ne kemi parë zhvillimin e vendeve të tjera dhe kemi gjetur rrugën tonë drejt demokracisë. Ndryshimi i strukturave do të çonte në pasiguri."

Nuk pritet që deputetët e parlamentit të ri do të shprehen për hapjen politike të Vietnamit. Gati të gjithë kandidatët janë anëtarë partie. Madje edhe presidenti gjerman, Horst Këhler nuk do të bëjë shumë për disidentët e dënuar. Axhenda lë shumë pak kohë për një ndërhyrje të tillë, thuhet nga zyra presidenciale. Në ditën e dytë të udhëtimit të presidentit gjerman, është planifikuar edhe një diskutim mbi zhvillimin e shtetit të së drejtës.