1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

171209 Klima Kopenhagen Merkel

18 Dhjetor 2009

Merkel porosit që bisedimet të mos dështojnë. Ajo përshëndeti deklaratën e SHBA-së për pjesëmarrje në fondin e masave për mbrojtjen e klimës në vendet në zhvillim

https://p.dw.com/p/L74Z
Konferenca e klimës në KopenhagëFotografi: AP

Në kryeqytetin danez Kopenhagë kanë mbërritur krerët e shteteve dhe qeverive nga e mbarë bota. Ata do të provojnë të premten (18.12.) që negociatat e bllokuara për klimën t'i përfundojnë me sukses. Edhe pas dhjetë ditë negociatash shumë çështje mbeten ende të paqarta. Nga e enjta pasdite (17.12.) në Kopenhagë ndodhet edhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo i është bashkangjitur listës së gjatë të atyre, që do të marrin fjalën në këtë konferencë. Bllokim i negociatave, grindje për dokumente, debate pa fund, por pa rezultate konkrete: Konferenca për Klimën në Kopenhagë ndodhej të enjten në udhëkryq. Lajmi i mirë: të paktën negociatat do të vazhdojnë, konferenca nuk ka përfunduar ende. Yvo de Boer, shefi për klimën në Kombet e Bashkuara, megjithë tensionet e krijuara përpiqet të lëshojë ndonjë shaka:

Yvo de Boer
Yvo de Boer, shefi për klimën në Kombet e BashkuaraFotografi: AP

"Mbahuni fort dhe mbyllini dyert - teleferiku po lëviz përsëri".

Merkel ka kohë që konsiderohet si luftëtare për mbrojtjen e klimës

Nga fillimi ai e ka krahasuar konferencën me ngjitjen përpjetë një kodre. Tani ai ka rreth vetes personalitete të mirënjohura, në mesin e tyre edhe kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila ka kohë që konsiderohet si luftëtare për mbrojtjen e klimës. Në Kopenhagë ajo përgjëroi të pranishmit që të shfrytëzojnë orët e ardhshme dhe të afrojnë qëndrimet e tyre:

Merkel bei Regierungserklärung zum Kopenhagen
Merkel duke folur në parlament për Kopenhagen, 17 dhjetor 2009Fotografi: AP

"Unë besoj që ne e kemi forcën për këtë. Unë besoj që, nëse secili bën edhe një hap, mund të bëhet mirë për të gjithë ne".

Gjermania dhe Bashkimi Evropian qëndrojnë pas premtimeve të dhëna

Kancelarja gjermane e bëri të qartë që Gjermania dhe Bashkimi Evropian qëndrojnë pas premtimeve të dhëna: si kur bëhet fjalë për pakësimin e CO2-it ashtu dhe për mbështetjen financiare të vendeve të varfëra në mënyrë që ato të jenë në gjendje të menaxhojnë ndryshimet klimaterike.

"Vendet industriale nuk mund të mbajnë mbi supe të vetme këtë detyrë. Por ato duhet të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë. Pjesa e dytë e përgjegjësisë për mua do të thotë që vendet, të cilat vuajnë në veçanti nga ndryshimet klimaterike, vendet e varfëra të këtij planeti, shtetet e vogla ishuj dhe vendet afrikane presin me të drejtë nga ne, që t'i mbështesim në ndërrimin e teknologjisë dhe t'u japim mbështetje financiare".

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ofrojnë mbështetje

Kopenhagen Klimagipfel
Presidenti Barack Obama zbret nga avioni në KopenhagëFotografi: AP

Këto ndihma financiare do të thonë fillimisht nga dhjetë miliardë dollarë për çdo vit deri në vitin 2012 dhe për rreth 100 miliardë dollarë, të cilat duhet të ndahen për çdo vit duke filluar nga viti 2020. Për këtë kanë ofruar mbështetje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton:

"Ne e pranojmë që një marrëveshje duhet të përmbajë mbështetje bujare financiare dhe teknologjike për vendet në zhvillim, posaçërisht për vendet më të varëfra në mesin e tyre. Këto ndihma duhet të shërbejnë, që ato të jenë në gjendje të pakësojnë lirimin e gazrave, që shkaktojnë efektin serrë dhe t'iu përshtaten ndryshimeve klimaterike. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme, që së bashku me vendet e tjera të ndajnë për këtë qëllim rreth 100 miliardë dollarë për çdo vit duke filluar nga viti 2020".

Megjithatë ende mbetet e hapur se çfarë do të sjellë me vete presidenti amerikan Barack Obama, i cili i bashkangjitet sot (18.12.) konferencës në Kopenhagë. Pjesëmarrja e tij rrit shpresat për arritjen e të paktën një marrëveshjeje më të fuqishme politike. Më shumë nuk mund të pritet nga Kopenhaga.

Autor: Henrik Bëhme/Esat Ahmeti

Redaktoi: Angjelina Verbica