1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Virusi i rrezikshëm i shpendëve kthehet në Evropë

Michael Becker30 Janar 2007

Për herë të parë në muajt e dimrit të këtij viti është konfirmuar në Hungari virusi i gripit të shpendëve H5N1, i rrezikshëm edhe për njerëzit

https://p.dw.com/p/AqnE
Zogjtë shtegtarë bartës të virusit
Zogjtë shtegtarë bartës të virusitFotografi: picture-alliance/dpa

Autoritetet hungareze kanë reaguar menjëherë dhe kanë eliminuar të gjithë shpendët në fermën e prekur nga virusi në juglindje të Hungarisë. Deri më tani nuk ka të dhëna për infektimin e njerëzve. Megjithatë Komisioni evropian ka paralajmëruar të gjithë vendet evropiane.


Që nga java e shkuar është bërë e qartë: gripi i shpendëve ka mbërritur edhe në Bashkimin Evropian. Deri tani është prekur vetëm Hungaria. 3000 pata u asgjësuan në juglindje të këtij vendi. Pasi u konstatua se shumë pata kishin ngordhur vetë, autoritetet veterinare kontrolluan në laborator provat e marra dhe konstatuan virusin H5N1.

Bëhet fjalë për virusin që është i rrezikshëm edhe për njerëzit. Ndërkohë dyshohet se edhe një fermë tjetër është prekur nga virusi i shpendëve. Megjithëse asgjë nuk është konfirmuar, simptomat janë të njëjta. Pak kilometra larg vatrës së parë të gripit të shpendëve janë asgjësuar edhe 9000 pata të tjera, pasi edhe këtu shumë pata kishin ngordhur.

Për Komisionin Evropian në Bruksel kjo është një shenjë se masat e sigurisë janë duke funksionuar: "Kjo tregon se kontrollet e nevojshme në fermat në terren kryhen në mënyrë të vazhdueshme dhe se reagohet shumë shpejt në rast dyshimi", thotë filip Tod, zëdhënës i komisarit evropian për shëndetësinë, Markos Kyprianou.


Në Bruksel ende e kujtojnë me tmerr kohën kur para një viti kryeartikujt kryesorë bënin fjalë për javë të tëra për rastet e gripit të shpendëve të zbuluar në një ishull në Greqi. Pas kësaj BE-ja ra dakord për aplikimin e masave të përbashkëta, të cilat do të siguronin mospërhapjen e virusit në rajone të tjera. Përreth fermës së prekur izolohet një zonë me shtrirje prej tre kilometrash dhe një zonë kontrolli me shtrirje 10 kilometra.

Brenda kësaj zone shpendët duhen mbajtur ne stall dhe nuk lejohet të transportohen, vetëm po qe se duhen dërguar për therrje. Shpendët zakonisht e marrin virusin nga truma zogjsh shtegtarë. Me ardhjen e temperaturave të ftohta rreziku është rritur, paralajmëron Komisioni evropian: "Për këtë arsye ne kemi kërkuar nga të gjitha vendet e BE-së, rritje të vigjiliencës dhe në baza të ndodhive më të fundit të përshtaten edhe përcaktimi i rrezikut", shprehet zëdhënësi i Komsionit, Tod.

Rumania ndërkohë ka vendosur rregulla shtesë për importimin e pulave nga Hungaria. Mishi që vjen nga ferma që ndodhen brenda zonës së vëzhgimit prej 10 kilometrash nuk do të importohet për në Rumani.

Për njerëzit ky virus është i rrezikshëm vetëm nëse ata kanë kontakt direkt me shpendët. Ndërkohë që ekspertët i tremben faktit se ky virus në mutacion mund të shkaktojë një epidemi mbarëbotërore të gripit.