1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Viti i ri shkollor në Shqipëri - Problemet ekonomike pengojnë të ardhmen e nxënësve romë

6 Shtator 2010

Në Shqipëri nisi të hënën (06.09) viti i ri mësimor për sistemin parauniversitar. Në shkollën 9 vjeçare “Bajram Curri” rreth 40 përqind e fëmijëve janë nga komuniteti rom e egjiptian. Cilat janë problemet e tyre.

https://p.dw.com/p/P5U2
Dita e parë e shkollës në Shqipëri
Dita e parë e shkollës në ShqipëriFotografi: DW

Rreth 650 mijë fëmijë janë ulur në bankat e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme dhe në ciklin parashkollor nga 6 shtatori. Rreth 42 mijë fëmijë janë në klasën e parë. Shkollën "Bajram Curri që ndodhet në një zonë periferike në lindje të Tiranës e frekuentojnë shumë fëmijë romë.

Fëmijë të veshur mirë me dëshirën për arsimim

Në ditën e parë të shkollës Ramazani e ka shoqëruar vetë sot nipin e tij, Samuelin që shkon në klasën e parë. Samueli e ka marrë me qejf shkollën. Ai ka ditë që i ka marrë të gjitha librat, fletoret si dhe mjetet që i duhen gjatë vitit. Ramazani thotë psenë: “Me qejf e ka, sepse më parë ka qenë dhe në kopësht. Është mësuar atje me shokët dhe me librat. Pra e ka bërë atje në kopësht programin e klasës së parë.” Vetë Samueli thotë se “i pëlqen më shumë të vizatojë me ngjyra dhe klasa ku bën mësim është shumë e bukur”.

Fëmijë romë në shkollën "Bajram Curri"
Fëmijë romë në shkollën "Bajram Curri"Fotografi: DW

Ndërsa Sadetja e ka veshur shumë mirë të bijën për ditën e parë të shkollës. Nga dritarja e klasës ajo së bashku me prindër të tjerë kanë ndjekur orën e mësimit në klasën e parë. Më pas ajo ka folur dhe më mësuesen për mjetet që i duhen së bijës. “Pyeta mësuesen se çfarë duhet dhe ajo më tha se nesër do të flasim prapë. Çfarë t'i duhet vajzës do t'ja marrim. Se shkolla është një gjë e madhe për ne”.

Problemet në shkollën me fëmijë romë shfaqen pas klasës së katërt

Marie Korriku, drejtoresha e shkollës “Bajram Curri”, ku mësojnë rreth 900 nxënës, megjithatë thotë se në radhët e fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian ka probleme sa i takon frekuentimi. Nga klasa e parë deri në të katërtën frekuentimi është disi më i qëndrueshëm, më pas vihet re fenomeni shqetësues i braktisjes së shkollës. Korriku: “Problemi i moshës në rradhët e vajzave të komunitetit rom është shqetësues. Ato fejohen 13 vjeçe, mund të martohen 14 vjeçe, pra brenda kohës së detyrimit shkollor ato mund ta braktisin atë.”

Marie Korriku, drejtoresha e shkollës
Marie Korriku, drejtoresha e shkollësFotografi: DW

Marsela Avdiaj është 13 vjeçe. Ajo ka patur për një periudhë kohe vitin e kaluar shkollor probleme me prindërit, të cilët nuk e lejonin të vazhdonte mësimet pas përfundimit të klasës së katërt. “Nuk kam ardhur 2 muaj në shkollë sepse kisha probleme me familjen që nuk më lejonte. Erdhën ata të shoqatës dhe takuan shpesh babanë dhe atij ju mbush mendja të më lërë për të vazhduar shkollën. Nuk e di por deri në klasën e 9-të ma ka siguruar se do të më lejojë të vazhdojë”.

Beluli ka tre fëmijë dhe që të tre nuk i ka sjellë në shkollë. Ai thotë se jo se nuk ka dëshirë t'i mbajë fëmijët në shtëpi, por nuk mundet nga ana ekonomike. Ai nuk do t'i çojë të pa veshur mirë si gjithë të tjerët. “S'kanë rroba. Duan të reja, se shikojnë kalamajt e tjerë. S'na del rroga ne që punojm", thotë Beluli.

Marinela Çani mbështet fëmijët në nevojë
Marinela Çani mbështet fëmijët në nevojëFotografi: DW

Masat e Ministrisë së Arsimit

Ministria e Arsimit për të parandaluar dhe reduktuar fenomenin e braktisjes së shkollës ka urdhëruar hapjen e të ashtuquajturave “klasa të shanseve të dyta”. Marie Korriku e shikon këtë aspekt si mbështetës për stafin pedagogjik të shkollës së saj. “Fëmijë që rezultojnë braktisës të shkollës për 2 ose 3 vjet për arësye të ndryshme do të grupohen në klasa dhe në orare të tjera të përshtatshme për ata t'ju ofrohet mësimdhënie”.

Përveç trupës pedagogjike në shkollën 9 vjeçare “Bajram Curri” të angazhuar janë dhe shoqatat joqeveritare. Marinela Çani prej 4 viteve punon në një organizatë që mbështet fëmijët në nevojë. Një nga fokuset e shoqatës është dhe puna me prindërit dhe fëmijët nga komuniteti rom dhe ai egjiptian, thotë ajo. Bëjmë ndjekjen sistematike të frekuentimit për nxënësit që kanë vështirësi në familjet e tyre, por dhe ju sigurojmë falas libra, çanta, mjete pune e didaktike. Çani: “Kemi ngritur grupe rekretative, që merren me fëmijët me talent, sepse në këto komunitete ka fëmijë të talentuar në kërcim e këngë. Me këta fëmijë në një kohë pas mësimit zhvillojme grupet e tyre që aftësohen”. Sipas Marinelës kjo bëhet dhe për qëllimin që ata të mbahen edhe më të lidhur me shkollën dhe programin mësimor që zhvillohet.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Lindita Arapi