1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizitë e shkurtër në kushte të vështira

Christoph Heinzle11 Tetor 2004

Shrëderi i premton mbështetje të mëtejshme Afganistanit pas "zgjedhjeve historike"

https://p.dw.com/p/Ar5Y
Shrëder dhe Karzai
Shrëder dhe KarzaiFotografi: AP

"E përshëndes dhe e falënderoj nga zemra për ndihmën, me të cilën na mbështet ai dhe kombi gjerman. Mirësevini, zoti kancelar."

Fjalë të ngrohta në pallatin presidencial në Kabul. Afërsisht gjysmën e kohës së qëndrimit të tij të shkurtër kancelari e kaloi me Hamid Karzain. Mbetet ende e paqartë, nëse ai do të bëhet presidenti i parë i Afganistanit, i zgjedhur në mënyrë të lirë, siç pritej dhe urohej nga Perëndimi. Rezultati përfundimtar do të dalë më 30 tetor. Numërimi i votave u vonua sot, por Shrëder dhe Karzai po shpreheshin të kënaqur. Fillimisht me zgjedhjet, të cilat Karzai i quajti historike. Shrëderi për këtë:

"Ju i quani me të drejtë historike këto zgjedhje. Ato janë një hap mjaft i rëndësishëm drejt demokracisë dhe qëndrueshmërisë në Afganistan dhe jam i sigurt, që do të ndiqen nga hapa të tjera."

Vizita e Shrëderit kishte filluar në kampin e ushtrisë gjermane, Warehouse. Atje kancelari u shprehu respektin ushtarëve e gjermanë të Trupës Mbrojtëse Ndërkombëtare për Afganistanin, ISAF. Angazhimi ushtarak është i nevojshëm edhe për shumë kohë, tha ai.

Përpara mbërritjes së Shrëderit kishte pasur kritikë. Shumë kandidatë për president e panë vizitën si mbajtje ane për Karzain. Abdul Latif Pedram kërkoi, që Evropa të mbështesë procesin e demokratizimit dhe jo kandidatë të veçantë.

Jo të gjithë janë të kënaqur me ecurinë e zgjedhjeve. Ende ka këshillime mbi hetimin e parregullsive gjatë votimit. Por shumë prej 15 kandidatëve për president kanë hequr dorë nga kërkesa për përsëritjen e zgjedhjeve. Prej hetimet mbi shkeljet gjatë votimit po vonohet numërimi i votave, i cili më e herëta do të fillojë të mërkurën.