1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e fundit e Xhorxh Bushit si president në Afganistan

Sabina Matthay15 Dhjetor 2008

Afganistani ka ndryshuar në mënyrë dramatike

https://p.dw.com/p/GGmu
Presidentët Karzai dhe Bush në pallatin presidencial në Kabul.Fotografi: AP

Lufta në Afganistan ishte fillimi i fushatës së presidentin amerikan Bush kundër terrorizmit. Shtatë vjet më parë në dimër SHBA-ve nuk iu deshën as dy muaj për të arritur ndryshimin e regjimit në Hindukush, talibanët dhe financuesit e tyre nga rrjeti al-Kaida morrën arratinë drejt Pakistanit. Tani presidenti Xhorxh Bush e viziton vendin për herën e dytë dhe të fundit si president amerikan.

Që atëherë Afganistani ka ndryshuar në mënyrë dramatike, tha Xhorxh Dablju Bush gjatë vizitës së tij. Hapen gjithnjë e më shumë klinika mjekësore, numri i studentëve në universitete rritet jashtëzakonisht, vajzat mund të shkojnë përsëri në shkollë, fëmijët mund të ngrenë balona, tha presidenti amerikan.

Por, vazhdoi Bushi para shtypit në Kabul, vendin e presin ende ditë të vështira.


"Ka ende punë për të bërë? Natyrisht, talibanët i kthejnë goditjet, ata duan të rikthehen në pushtet, nuk e durojnë dot idenë e një shoqërie të lirë. Ata janë vdekjeprurës dhe nuk dorëzohen lehtë, pa diskutim."


Më shumë se shtatë vjet pas dëbimit të islamistëve militantë në Afganistan janë stacionuar rreth 65.000 ushtarë të huaj. Trupa ndërkombëtare mbrojtëse ISAF duhet të mbrojë dhe mbështesë rindërtimin, operacioni "Indjuërin Fridëm" duhet të zhvillojë luftën kundër terrorizmit. Megjithatë gjendja e sigurisë është keqësuar shpejt vitet e fundit, nuk ekziston më stabiliteti i nevojshëm për një rindërtim në mbarë vendin.

Prandaj Afganistani mund të mbështetet tek qeveria e ardhshme amerikane, garantoi Xhorxh Bush.


"Është në interesin tonë që demokracia e Afganistanit të lulëzojë, është në interesin e Amerikës që ata që duan të vrasin shtetasit tanë të mos gjejnë më kurrë strehë gjëkundi."


Pasardhësi i zgjedhur i Bushit Barak Obama do t'i përforcojë trupat atje me 20.000 ushtarë. Deri në verën e vitit të ardhshëm planifikohet të dërgohen tri brigada amerikane shtesë. Presidenti afgan Karzai e falënderoi Xhorxh Bushin për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara:


"Afganistani do të vazhdojë të bashkëpunojë me bashkësinë ndërkombëtare derisa të kemi mundur terrorizmin dhe ekstremizmin si dhe kërcënimin që paraqesin ata për Afganistanin, fqinjët e tij dhe për pjesën tjetër të botës."


Deri atëherë pritet të kalojë një kohë e gjatë. Edhe vetë oficerë të trupës ndërkombëtare mbrojtëse ISAF e pranojnë ndërkohë se para së gjithash në jug dhe në lindje të vendit operacioni stabilizues për mbështetjen e qeverisë afgane është kthyer prej kohësh në një operacion për luftimin e kryengritësve.


Në raportin e saj të fundit organizata ICOS, e specializuar për çështje të sigurisë, mbërrin në përfundimin se ndërkohë kryengritësit kontrollojnë më shumë se dy të tretat e Afganistanit ose pengojnë praninë e efektshme të qeverisë dhe të organizatave të ndihmave.