1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e gjesteve të mëdha - Udhëtimi i presidentit Bush në Evropë shënon ndarjen demokratike të arave

Daniel Sheshkevic11 Maj 2005

Me një vizitë të shkurtër në Gjeorgji presidenti i SHBA, Xhorxh Bushm, i dha fundit udhëtimit të tij të tretë në Evropë gjatë mandatit të dytë presidencial. Me praninë në Moskë me rastin e 9 Majit, Bushi është i pari president i SHBA që merr pjesë në një paradë ushtarake në sheshin e kuq. Megjithatë rëndësia historike e vizitës së tij në katër vende evropiane i tejkalon kufijtë e kësaj ngjarjeje.

https://p.dw.com/p/ArPI
Nga ceremonia e pritjes në Kremlin
Nga ceremonia e pritjes në KremlinFotografi: AP

Rrallë herë e kemi parë kaq të qetë dhe të shpenguar presidentin e SHBA Bush në një turne jashtë vendit. Ndryshe nga çe ka zakon kësaj radhe Bush qëndroi deri në orët e vona të natës duke shijuar valltarët gjeorgjianë dhe duke i imituar ata. Bush madje nisi të kërcejë sikur Tbilisi të mos ishte në Kaukaz por në Teksas. Vërtetë që zhvillimet e fundit në rajon i japin mjaft shkas për gëzim presidentit të SHBA. Me "revolucionin e trëndafilave" në Gjeorgji dhe me "revolucionin e portokalltë" në Ukrainë tirania ka marrë fund edhe në brigjet e detit të Zi, së paku kështu duket. Me Mihael Shakashvilin dhe Viktor Jushenkon gjatë 18 muajve të fundit në këto dy vende kanë ardhur në pushtet nëpërmjet lëvizjeve masive demokratike dy politikanë mëse të përshtatshëm për kandarin e Amerikës.

Gjashtë dekada qysh pas fundit të Luftës së Dytë Botërore ndarja e kontinentit evropian tashmë ndoshta është kapërcyer njëherë e përgjithmonë dhe konferenca e Jaltës mbetet vetëm një kapitull i librave të historisë. Vizita e Bushit nuk kishte për qëllim vetëm që t´i kushtojë vëmendje kësaj ujdije fatlume të historisë dhe t´i bëjë nderimet vullnetit të popujve për liri. Ky gjest u mirëprit si në Balltik ashtu edhe në Tbilis. Ndërsa në Moskë Bushi e kuptoi, se duhej të qetësonte indinjatën e fshehtë të udhëheqjes ruse për humbjen e sferave të saj të influencës, duke marrë pjesë pa komplekse në një festë fitoreje, së cilës nuk i mungonte kujtimi i Bashkimit Sovjetik triumfues. Këtë akrobaci të vështirë Bushi e përballoi me natyrën e tij të shpenguar amerikane të bazuar në një protokoll mjaft të ngjeshur deri në detajin më të vogël. Nuk munguan aspak gjestet e mëdha e të vogla, duke filluar qysh me përqafimet me veteranëve sovjetikë të luftës të vrarë nga jeta e deri tek turi miqësor në makinerinë nostalgjike të Putinit. Në këtë mënyrë iu kushtua rëndësi me nderime të veçanta krenarisë së Rusisë dhe guximit të viktimave të luftës së aleatëve nga ditët e Luftës së Dytë Botërore.

Krahas kësaj Bush i rezervoi një vizitë të shkurtër edhe Holandës, duke dashur të sinjalizojë, se ai nuk e ka harruar as "Evropën e vjetër". E kjo s´ka ku të vejë më mirë. Sepse Bushi ka nevojë për të gjithë. Në luftën kundër terrorizmit kontrolli ndaj porteve detare të Roterdamit dhe Rigës është po aq i rëndësishëm sa edhe vëzhgimi intensiv i arsenaleve atomike të mbetura nga koha e sovjetikëve në Rusi apo në Ukrainë. Partneriteti i sigurisë me Moskën nuk duhet të pësojë asnjë dëm, pavarësisht nga ankorimi solid i Balltikut në aleancan atlantike. Ky harmonizim interesash ishte motoja e pashkruar e vizitës së Bushit në Evropë.

Nëse do të jetë i qëndrueshëm entuziazmi i demokracive të reja për "njeriun e lirisë" Bush, kjo do të varet prej suksesit të forcave reformatore në terren. Në Balltik po zhvillohet një ekonomi e shkëlqyer e kjo falë jo vetëm influencës mbrojtëse të BE-së. Por edhe në Gjeorgji e në Ukrainë procesi i reformave ka nëvojë për një mbështetje masive perëndimore për stabilizim, në mënyrë që ai të kurorëzohet me sukses. Ndërkohë që për asnjërin prej këtyre rajoneve nuk duket të ketë ndonjë plan të ri Marshall. Eshtë e dyshimtë nëse për këtë do të mjaftojnë vetëm nevoja universale për lirinë dhe përpjekjet për demokracinë.

Ndaj gjestet e mëdha të vizitës duhet të pasohen prej përpjekjeve ndërkombëtare, në mënyrë që revolucionet paqësore të shndërrohen në një sukses ekonomik që përjashton kthimin e rrethanave autoritare. Udhëtimi i presidentit Bush kishte natyrë simbolike. Testi i vërtetë për demokracitë e reja në ish-zonat sovjetike të influencës është ende i hapur.