1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e Merkelit në ShBA

14 Janar 2006

Vizita e prezantimit të kancelares Angela Merkel në ShBA dhe takimi me presidentin Xhorxh Bush janë top tema e komenteve në shtypin e sotëm.

https://p.dw.com/p/Arrt

Në të përditshmen "Volksstimme" që del në Magdeburg komentohet: "Për t´i minimizuar edhe më shumë luhatjet atmosferike mes ShBA dhe Evropës Perëndimore, kancelarja gjermane ashtu siç pritej u prezantua në një formë ideale. Angela Merkel ishte personfikimi i pragmatizmit. E pikërisht kjo pikënisje i ofron shansin për një afrim të ri dy partnerëve të aleancës që përkohësisht kanë qenë të përçarë. Ato çka i ndajnë dy vendet nuk u kursyen, por u trajtuan përpara takimit Merkel-Bush. Kancelarja propagandoi në Uashington një dialog të apostrofuar si "të frytshëm" dhe në këtë mënyrë e zhvilloi atë. Fjala nuk ishte për rezultate konkrete, por për garantimin reciprok mes një presidenti të lodhur dhe një kancelareje ambicioze, që në rast nevoje të mbështesin njëri-tjetrin", shkruan "Volksstimme".

Në komentin e gazetës "Achener Zeitung" lexojmë: "Mekel theksoi shprehimisht mendimet e ndryshme. Të paktën në marrëdhëniet gjermano-amerikane sërish është krijuar një situatë, në të cilën mund të flitet hapur për të gjitha, dhe që mesazhet thelbësore të mos komentohen më nëpër sheshet e pazareve gjermane, apo në konferencat e paturpshme të shtypit të ministrit të mbrojtjes të ShBA, Ramsfelld. Ndaj ky është një fillim i mirë, por as më shumë e as më pak se kaq", nënvizon "Achener Zeitung"

"Hamburger Abendblatt" shënon: "Pavarësisht nga pozicionet e ndryshme në disa çështje nuk duhet të harrojmë bërthamën e partneritetit: sa i përket luftës për mbrojtjen ndaj rrjeteve globale të terrorit dhe sistemeve despotike demokracitë në Gjermani dhe ShBA janë në unanimitet", citat ky nga komenti i "Hamburger Abendblatt".

Gazeta e Berlinit "Tageszeitung" komenton: "Koordinatat e politikës së jashtme u përcaktuan qysh përpara fillimit të vizitës së Angela Merkelit në Uashington: të dyja palët ndërkohë kanë një interes të madh për një klimë miqësore bisedimesh. Jo vetëm, por edhe sepse tema të caktuara si: programi bërthamor i Iranit, nuk durojnë më të shtyhen dhe sepse të gjithë pjesëmarrësit janë të një mendimi dhe dëshirojnë një kurs të përbashkët. Në një sfond të tillë prodhohen pamje miqësore televizive dhe jepen deklarata që s´thonë asgjë", tërheq vëmendjen "Tageszeitung".


Gazeta "Neue Westfälische" që del në Bielefled vëren: "Sprova e parë për marrëdhëniet gjermano-amerikane do të jetë konflikti në shkallëzim e sipër me Iranin. Nëse Gjermania e drejtuar nga një koalicion i gjerë do të bjerë në të njëjtën situatë si edhe qeveria e mëparshme e socialdemokratëve dhe ekologjistëve duke refuzuar qartë çdo ndërhyrje në Lindjen e Mesme, kancelarja e pritur tani me entuziazëm, do ta ketë të vështirë të ruaje ballancën e sapo vendosur në raportet gjermano-amerikane", thekson "Neue Westfälische".

Ndërsa "Frankfurter Allgemeine Zeitung" lidhur me koalicionin qeverisës në Gjermani komenton: "Koalicioni i gjerë është ende në pelena dhe tani ka mbi kurriz komisionin e parë hetimor. Së paku kjo do të ndodhë në bazë të deklarimeve nga radhët e partisë liberale, partisë së majtë dhe ndoshta pas ndonjë seance tronditëse edhe prej asaj ekologjike. Fjala është nëse ka qenë Shërbimi Informativ Kombëtar, BND, në shërbim të amerikanëve në luftën e Irakut, në një kohë që qeveria e atëhershme socialdemokrate-ekologjike i lante duart në pafajësi? Një rast të tillë opozita vështirë se do ta lerë t´i shpëtojë për të prezantuar veten, sepse rrallëherë ajo ka mundësi të bjerë në sy e ndodhur tani nën hijen e dy partive të mëdha të koalicionit. Por para së gjithash këtu kemi të bëjmë me zbardhjen e së shkuarës, e qeveria e cila do të prekej vërtetë nuk ekziston më", nënvizon "Frankfurter Allgemeine Zeitung".