1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vizita e Steinmeierit në Athinë-Grekët dhe gjermanët afrohen

13 Tetor 2018

Pas vitesh krize, Greqia dhe Gjermania përpiqen të normalizojnë marrëdhëniet. Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier hasi me kritikat e grekëve gjatë vizitës së tij, por gjeti edhe miratim.

https://p.dw.com/p/36UGS
Bundespräsident Steinmeier in Griechenland
Steinmeier me presidentin grek, Prokopis PavlopoulosFotografi: picture-alliance/Photoshot/M. Lolos

Për një moment hareje gjatë vizitës së presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier u kujdes këngëtarja me origjinë greke Vicky Leandros, që shoqëroi presidentin gjerman në Greqi. Në kohën kur dy presidentët, Steinmeier dhe ai grek, Prokopis Pavlopoulos u ulën për pak minuta në shkallën e Akropolit bashkë me bashkëshortet e tyre, artistja shkoi drejt skenës të këndojë "Ti e di, unë e dua jetën".

Një vizitë me temp e presidentit gjerman, që filloi në Athinë dhe mbaroi në Peloponezin e qetë. Steinmeier pa një vend krenar dhe me vetëbesim. "Për këtë gur themeli njerëzit meritojnë mirënjohje dhe respekt", tha presidenti gjerman. Pas tetë vitesh krize dhe atmosfere të tensionuar mes dy vendeve, këto fjalë u dëgjuan me dëshirë në Athinë.

Akuza lënduese

Nuk është harruar se sa e tensionuar ishte marrëdhënia mes dy vendeve. Shumë kujtojnë fjalët e ashpra nga Berlini "për marrëdhënie greke", apo një karikaturë e gazetës greke "I Avgi" që e paraqiste ministrin e atëhershëm të Financave, Schäuble me uniformën e SS-ve. Kur erdhi para pak vitesh Steinmeier e pa vetë atmosferën në vend. Para dritares së tij protestohej, ishin njerëz që kishin humbur punën, njerëz pensionet e të cilëve u shkurtuan deri në 40%. Ata protestonin kundër trojkës së Brukselit, por edhe kundër gjermanëve. Berlini ishte ai që e ruajti kursin e fortë të kursimeve ndaj Athinës.

Bundespräsident Steinmeier in Griechenland
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Grekët e lodhur

Ndërkohë papunësia nuk kap më 30%, por 20%. Shteti mund t'ia dalë në dy vitet e ardhshme pa kredi të reja. E megjithatë mbetet edhe një histori e vjetër e pashlyer për grekët. Vizita e Steinmeierit përkoi me 74-vjetorin e pushtimit gjerman. Kujtimet e atyre viteve, kur gjermanët shkatërruan dhe vranë në Greqi nuk janë harruar. Kriza i bëri ato edhe më të dukshme. Steinmeier bëri atë që do të bënte çdo president gjerman, kujtoi përgjegjësinë e vendit të tij për krimet e nazistëve dhe kërkoi falje si paraardhësi, Joachim Gauck.

Bundespräsident Steinmeier in Griechenland
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. von Jutrczenka

Dëmshpërblimet e luftës

"Gjermania nuk do t'i harrojë kurrë krimet mizore të nazistëve", tha ai. Fjalë të duhura  por që grekëve mes sa duket nuk u mjaftojnë. Edhe në vende, ku Steinmeier priste gjeste mikpritëse, kjo temë nuk u harrua si në Sallën e Universitetit të Athinës, ku Steinmeier mori titullin e Doktorit të Nderit. Steinmeier i priti me qetësi këto kërkesa, duke theksuar se Gjermania i ka mbyllur nga ana ligjore këtë temë. Grekët vërtet i kujtojnë gjithmonë dëmshpërblimet e luftës, por përpiqen të mos e bëjnë dominuese këtë temë. Ndoshta prandaj edhe vizita e Steinmeierit mori fund ndryshe - me presidentin grek Pavlopoulos në Peloponezin antik.