1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vlerat nuk lejohet të shtrohen për diskutim - BE-ja dhe ligji mediatik hungarez

24 Dhjetor 2010

Ligji i ri për mediet në Hungari po bën bujë. Ligjin, që përveç stacioneve publike iu shtrëngon rripat tani edhe medieve të shtypura dhe online, Brukseli do t'ia nënshtrojë një verifikimi. Kjo me plot të drejtë.

https://p.dw.com/p/zp0Z

Nuk pret më koha që Komisioni Evropian ta shqyrtojë imtësisht ligjin e ri hungarez për mediet. Ai pati shumë kohë për ta paralajmëruar më parë qeverinë hungareze prej kontrollit shtetëror mbi mediet dhe për t'iu bërë të qartë hungarezëve, se nuk mund të kalojnë pa u dëmtuar, kur në këtë rast shkelin lirinë e shtypit dhe kësisoj të drejta themelore evropiane.

Për një gjë të tillë ka evidencë të qartë, për shembull ngritja e një enti kontrolli për të gjitha mediet, i cili sillet si kontrollori dhe ligjvënësi suprem, mund të vendosë gjoba të larta kundër medieve mbi bazën e rregullave të turbullta dhe që nga ana e tij nuk i nënshtrohet kurrfarë kontrolli parlamentar.

Por deri tani Komisioni Evropian i ka bërë bisht: Ai nuk ka bërë të qartë, që ligji i ri për mediet është i papajtueshëm me lirinë e shtypit dhe në këtë mënyrë me kartën e të drejtave themelore të Bashkimit Evropian. Edhe presidenti i Këshillit Evropian Herman van Rompuy nuk tha dje asnjë fjalë për ligjin e medieve pas takimit me kryeministrin hungarez Orban. Në vend të kësaj përfaqësuesi i 27 shteteve anëtare u uroi hungarezëve një kryesi të begatë dhe të suksesshme. Vetëm pak ditë para se Budapesti të marë kryesinë lëvizëse në Bashkimin Evropian, me sa duket Brukseli druan zemërimin, që mund të shkaktonte një shpallje e qartë.

Po pikërisht për arsye të kryesisë së afërt hungareze në BE Komisioni Evropian dhe të gjitha shtetet e tjera anëtare duhet të bëjnë të qartë, se vlerat evropiane bazë nuk shtrohen për diskutim. Aq më pak atëherë, kur një vend siç është tani Hungaria kërkon të shkëlqejë për gjashtë muaj në skenën evropiane dhe të mbledhë pikë te zgjedhësit e vet.

Aspak nuk vlen në rastin e Hungarisë argumenti i deritanishëm i Komisionit Evropian, se e drejta mediatike është çështje e shteteve të veçanta anëtare. Kur shkelen vlerat evropiane bazë, atëherë legjislacioni kombëtar kthehet natyrisht në problem në rrafsh evropian.

Në rast se BE-ja nuk ndërhyn këtu shpejt, ajo bëhet krejtësisht e pabesueshme. Kush do kritikojë atëherë në të ardhmen me çfarë të drejte diktatorë si Aleksandër Lukashenko në Bjellorusi, kur ata frikësojnë mediet ose ua lidhin atyre gjuhën?

Përveç Komisionit Evropian tani kërkohen para së gjithash qeveritë në pjesën tjetër të BE-së: Zakonisht ato nuk e pëlqejnë aspak që të lëndojnë njëra-tjetrën, por këtu duhet ta bëjnë: Ta hedhësh vështrimin në anën tjetër do të thotë në këtë rast miratim i heshtur, që Hungaria të ketë të drejtë të injorojë vlera evropiane. Askush të mos shpresojë, se kryeministrit hungarez Viktor Orban do t'i mbushet mendja vetë: Orban është mësuar në vendin e tij, që idetë e veta t'i zbatojë pa pyetur për të tjerët. Çfarë nuk i pëlqen, ajo përshtatet, si kompetencat e gjykatës kushtetuese hungareze.

Aq më energjikisht duhet t'ia kujtojë Bashkimi Evropian qeverisë Orban detyrimet e saj evropiane. Komisioni Evropian duhet të nisë një procedurë shkeljeje marrëveshjeje dhe në qeveritë e tjera duhet menduar sa më parë se si mund të kontribuohet, që qeveria hungareze të kthehet në kurs në përputhje me të drejtat bazë. Në rast të kundërt BE-ja do të ketë pas një jave një kryesi, ligji mediatik i së cilës përputhet më tepër me standardet bjelloruse sesa me ato evropiane.

Autore: Doris Simon

Redaktoi: Elert Ajazaj