1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vonesa në zgjerimin e zonës së Shengenit

Bernd Riegert12 Tetor 2006

Qarkullimin e lirë papasaporta duan ta shijojnë edhe vendet e reja, të anëtarësuara në BE në vitin 2004 dhe kërkesë për t'u anëtarësuar në marrëveshjen e Shengenit ka bërë edhe Zvicra. Por këtyre vendeve do t'u duhet të presin më gjatë se ç'parashikohej për t'u bërë vende të Shengenit

https://p.dw.com/p/Ar9x
Fotografi: dpa

Deri në mes të vitit 2007 pritej që vendet evropianolindore anëtare të BE-së si dhe Zvicra të anëtarësoheshin në marrëveshjen e Shengenit, e cila u mundëson 15 shteteve anëtare të deritanishme të saj që të heqin kontrrollet kufitare mes tyre. Kjo marrëveshje e ka marrë emrin prej një fshati të vogël në Luksemburg, ku u vendos para 21 vjetësh që të hiqeshin kontrrollet për qytetarët e BE-së.

Por Komisioni i BE-së dëshiron që ta shtyjë edhe për një vit për shkaqe teknike anëtarësimin e vendeve të reja të BE-së në zonën e Shengenit. Problemi lidhet me sistemin kompjuterik SIS, përmes të cilit regjistrohen në sistemin e përbashkët të vendeve të Shengenit të dhënat për personat e shpallur në kërkim, për kriminelët, për automjetet apo mallrat e vjedhura, si dhe numrat e serive të parave të falsifikuara apo të vjedhura.

Sistemi i deritanishëm i stacionuar në Straßburg përfshin 13 vende anëtare të BE-së plus Norvegjisë dhe Islandës, të cilat nuk janë anëtare të BE-së, por të zonës Shengen. BE-ja ka filluar nga puna për zgjerimin e sistemit këtij sistemi për të 27 vendet anëtare dhe për vende të tjera që në vitin 2003, por SIS II nuk është ende gati.

Kryeministri hungareze Ferenz Gjurçanji tha gjatë një takimi të përfaqsuesve të Polonisë, Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë në Vishegrad, se "në rast se nuk do të respektohet data për anëtarësimin e vendeve të reja të BE-së në zonë e Shengenit, kjo do të çonte në humbjen e kredibilitetit pëpr BE-së në radhët e qytetarëve të vendeve të reja anëtare".

Edhe ambasadori i Çekisë pranë BE-së Jan Kohout u shpreh në Bruksel për një "mashtrim" duke shprehur dyshim se shkaku i vërtetë për këtë shtyrje janë shkaqet teknike. Sipas tij shtetet e vjetra anëtare të BE-së kanë një problem dhe nuk duan t'i pranojnë shtetet e reja anëtare të BE-së me të gjitha të drejtat.

Komisari i BE-së për politikën e brendshme dhe drejtësinë Franco Frattini si dhe politikanë të tjerë i hodhën poshtë këto deklarata:"Komisioni ka bërë një propozim praktikabël, sipas së cilit SIS II do të fillojë nga puna në qershor 2008, pra në më pak se 12 muaj pas ditës që ishte planifikuar fillimisht." - tha Frattini

Edhe euro-deputetja demokristiane Ewa Klamt, e cila merret me çështjet e sistemit SIS II e justifikon këtë vonesë, duke thënë se Komisioni po përpoqet me të gjitha mënyrat që ky të funksionojë sa më parë: "Ndoshta mund të thuhet se në një farë mënyre vështirësitë dhe problemet teknike që lidhen me këtë bankë gjigande të dhënash kompjuterike u nënvleftësuan dhe komisioni shpresoi se do t'ia dilte mbanë. Ndoshta ambiciet ishin shumë të mëdha. Por e rëndësishme është që ne t'i shohim gjërat pozitivisht. Ne duam që shtetet e reja të BE-së të anëtarësohen në Shengen dhe të bëjmë të qartë se vonesat nuk kanë të bëjnë Parlamentin."

MPJ gjerman Wolfgang Schäuble u shpreh:"Sapo të jenë krijuar kushtet zona e Shengenit do të zgjerohet. Por fillimisht duhet plotësuar kushtet dhe këto duhet t'i plotësojnë edhe vendet e reja anëtare. Ne nuk mund të bëjmë lëshime, sepse ndryshe nuk do të kemi më tepër, por më pak siguri për Evropën. Dhe një gjë e tillë nuk është në interes të integrimit evropian."

Sipas të dhënave të Brukselit gjatë instalimit të kompjuterave të rinj në Straßburg ka pasur probleme gjë që ka çuar në këto vonesa.