1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vrasja e al Zarkavit & Botërori 2006

Vilma Filaj-Ballvora9 Qershor 2006

Njoftimi për vrasjen e udhëheqësit të rrjetit terrorist të El Kaidës në Irak, Abu Musab el Zarkavi gjen jehonë në shtypin e sotëm. Padyshim që një temë tjetër mjaft e komentuar është edhe hapja sot e Kampionatit Botëror të Futbollit në Gjermani.

https://p.dw.com/p/ArpX

Nga komenti i "Süddeutsche Zeitung" për vrasjen e el Zarkavit veçojmë: "Vdekja e tij s´është ndonjë humbje për botën, por përderisa një njeri i tillë stilizohet në këtë mënyrë si prej simpatizantëve ashtu edhe prej kundërshtarëve, qeverisë irakiane dhe asaj amerikane i lejohet të zhyten pak në eufori. ... Eshtë e sigurtë që shumë shpejt do të konstatojmë, se edhe pa el Zarkavin në Irak do të vazhdojë te ekzistojë dhuna. Konfliktet fetare do të vazhdojnë dhe brutaliteti i përditshëm ka lëshuar rrënjë të thella në shoqëri, celulat e përhapura në masë të el Kaidës nuk do të shterrojnë, vetëm se tani s´ekziston më figura simbol e tyre. Terrori i organizatave islamiste nuk ushqehet më vetëm nga personat në drejtim, paçka se karizmatikë të tillë si Osama bin Ladeni, zëvendësi i tij Zavahiri apo edhe Zarkavi shërbejnë si figura shembullore për rekrutimin e forcave të reja", komenton "Süddeutsche Zeitung".

Në të njëjtën linjë komenton edhe "Frankfurter Allgemeine Zeitung": "Vdekja e udhëheqësit të terroristëve Abu Musab el Zarkavi për një periudhë afatshkurtër do të influencojë në rënien e dhunës në Irak, por jo afatgjatë. Ndaj presidenti amerikan Xhorxh Bush e ka vlerësuar drejt situatën, duke i shmangur tonet triumfuese gjatë komentimit të këtij lajmi. El Zarkavi ka urdhëruar akte të përgjakshme terrosite dhe i ka kryer edhe vet ato, por ai s´ishte i vetmi. Nëse lufta kundër dhunës do të jetë tani më premtuese për sukses, siç mendojnë ambasadori i Uashingtonit në Bagdat, Zalmay Khalilzad dhe kryeministri irakian Nuri al Maliki, kjo mbetet të shihet, deri në sulmin e ardhshëm. Problemet në Irak nuk janë zgjidhur me vdekjen e el Zarkavit, por tani në Irak ka një terrorist më pak", thekson "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

Kalojmë në temën e dytë, hapja sot në Gjermani e botërorit 2006. Gazeta "Augsburger Allgemeine" shkruan: "Do të ishte një mrekulli, nëse do të kish sukses trainieri modernizues Klinsman dhe nëse ekipi i tij do të bëjë një figurë të mirë. Kjo do të ringjallte besimin e gjermanëve tek aftësitë e veta. Por siç na mëson fitorja e kampionatit në vitin 1990 euforia s´mban gjatë. Kampionati Botëror i Futbollit nuk i zgjidh problemet tona. Me ose pa fitoren e titullit, kjo duhet ta preokupojë politikën që për fat të keq ende s´është pjekur për të qenë kampion bote", tërheq vëmendjen "Augsburger Allgemeine".

"Pforzheimer Zeitung" i referohet preokupimit mbarëkombëtar në Gjermani për dëmtimin e yllit të futbollit Mihael Balak duke komentuar: "Pulpa e Mihael Balakut është shndërruar në thembrën e Akilit për kombin. Nëse njëmbëdhjeçja jonë do të skualifiohet në raundin e parë, atëherë shumë ekspertë do të konstatojnë pasigurinë e ekipit pikërisht prej kësaj vene, që mund të ketë pasoja të rënda. Kjo pasi asnjë ngjarje tjetër qysh pas luftës s´ka ngjallur kaq shumë shpresa në Gjermani sa Kampionati Botëror i Futbollit 2006. Nëse vendi dikur i mrekullisë ekonomike s´do të arrijë suksesin e dëshiruar në këtë spektakël, atëherë kjo vetëm sepse të gjithë e kanë përqëndruar vëmendjen vetëm tek njëri në vend që të nxisin frymën e ekipit", tërheq vëmendjen "Pforzheimer Zeitung".

Së fundi edhe një citat nga artikulli i së përditshmes "Kölnische Rundschau", që i referohet motos së këtij kampionati: "Bota e ftuar tek miqtë. Kjo s´është një fjali boshe. Ka shumë tregues që shumica e njerëzve e përjetojnë atë kështu. Ka edhe shumë shenja të jashtme, si entuziazmi, krahët e hapur dhe gëzimi që e konfirmojnë këtë. Festa të kujton lojrat e gëzueshme të Olimpiadës 1972. Por kjo ngjarje të kujton edhe shqetësimet. Gëzimi dhe rreziku qëndrojnë pranë njëri-tjetrit. Bota mund të jetë e sigurtë, që së paku është ndërmarrë gjithçka e mundshme për sigurinë. Por të gjithë e dinë, se s´ka garanci absolute. Ndaj në këtë aspekt mbetet që gjatë javëve të ardhëshme të shpresojmë, se gjithçka do të kalojë mirë. Konfliktet e mëdha të kohës sonë në botë nuk i përshtaten kësaj feste. Le të shpresojmë që këtë do ta kuptojnë edhe ata që kanë në mendje vetëm terrorin dhe krimet", shkruan "Kölnische Rundschau".