1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vrasja e Mashadovit e vështirëson zgjidhjen e konfliktit të Çeçenisë

Miodrag Soric9 Mars 2005

Udhëheqësi i rebelëve çeçenë Asllan Mashadov u vra dje pasdite gjatë një aksioni të ushtrisë ruse. Sipas agjencive të lajmeve, kufoma e tij u gjet në një bunker në fshatin Toltoi-Jurt në veri të Çeçenisë. Muajt e fundit Mashadov kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur bisedime me Moskën; por Kremlini e refuzoi këtë dhe e fajësoi udhëheqësin e rebelëve për përfshirje në shumë atentate terroriste. Ndryshe nga sa mendon Moska vdekja e udhëheqësit të matur rebel do ta vështirësojë edhe më zgjidhjen politike të konfliktit të Çeçenisë - mendon në komentin e tij Miodrag Soric.

https://p.dw.com/p/ArQE
Asllan Mashadov
Asllan MashadovFotografi: dpa

Ka fitore, si pasojë e të cilave më shumë humbet sesa fiton. "Një fitore" e tillë është vrasja prej forcave ruse të sigurisë e presidentit të fundit të Çeçenisë të zgjedhur demokratikisht, Asllan Mashadov. Mashadovi prej kohësh nuk përbënte më rrezik: as për qeverinë ruse e as për integritetin e shtetit rus, përkundrazi. Deri në fund ai mbeti njëri prej të paktëve zëra në kampin çeçen, që u shpreh pro zgjidhjes me bisedime me palën ruse. Vitet e fundit ai i dënoi pa mëdyshje sulmet e përgjakshme të terroristëve çeçenë kundër civilëve.

Është ironi e fatit që ushtria ruse ia doli të vrasë Mashadovin por jo autorët e sulmit brutal ndaj shkollës në Beslan, ku humbën jetën qindra civilë, shumica fëmijë. Mascadovi, udhëheqësi i matur i çeçenëve ka vdekur, kundërshtari i tij Schamil Bassajew ende jeton dhe ka gjasa të jetë duke përgatitur atentate të tjera.

Le ta shpallë sa të dojë të përfunduar luftën në Kaukazin verior Vladimir Putin-i: de facto ajo vazhdon. Me vrasjen e Mashadovit udhëheqja ruse humbet një ndërmjetësues të mundshëm në raste pengmarrjeje ose krizash të tjera. Edhe në qoftë se presidenti rus nuk e dëgjon këtë me qejf, por në të kaluarën sapo në Kaukaz kishte acarime serioze, si për shembull pengmarrje, të dërguarit e Putinit kërkonin të lidheshin me Mashadovin. Ata i luteshin atij që t'i zbuste qëndrimet e terroristëve, gjë që ai sigurisht përpiqej ta bënte, megjithëse jo gjithnjë me sukses. Vdekja e Mashadovit ka si pasojë që tani mundësia e ndërmjetësimit nuk ekziston më as teorikisht. Në këtë mënyrë hapësitra për veprim e Putinit kufizohet.

Është ende tepër herët për të dhënë një gjykim përfundimtar mbi rrethanat konkrete të vrasjes së Mashadovit, por të bie në sy fakti që pak para sulmit ai gjendej në një fshat vetëm 20 kilometra larg kryeqytetit çeçen Grozni. Me sa duket, qindra postblloqe dhe mijëra ushtarë në tërë Çeçeninë nuk qenë në gjendje të shmangnin lëvizjen e lirë të Mashadovit në atdheun e tij. "Si është e mundur kjo?", do të pyesin forcat ruse të sigurisë dhe ato çeçene, aleate me to. Si përgjigje ka dy mundësi: Ose shumë ushtarë në Kaukazin verior janë aq të korruptuar saqë për para lejojnë cilindo që të kalojë; ose Mashadovi ishte aq i pëlqyer në popullin çeçen saqë mund të kalonte pa vështirësi në ilegalitet. Të dyja variantet nuk do ti pëlqejnë Kremlinit.

Mashadovi sigurisht që nuk ishte politikan siç do ta donte Perëndimi, hero kurrsesi. Shtetarët në Berlin, Londër apo në Paris i janë shmangur. Kjo ka arsyet e veta: Në fillim të viteve nëntëdhjetë Mashadovi e mbështeti qëndresën e armatosur kundër Rusisë; por Perëndimi ka qenë prej kohësh kundër pavarësisë së Çeçenisë. Kësaj i shtohet fakti që Perëndimi nuk donte ta zemëronte Putinin pa qenë nevoja. Edhe për këtë arsye nuk fliste askush në Perëndim me Mashadoin. Tani ai është i vdekur, por Perëndimi do të vazhdojë të kërkojë prej presidentit rus një zgjidhje politike të konfliktit në Çeçeni.