1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vrasjet e Mynihut: dorasi me motive ideologjike

4 Tetor 2017

David S. vrau nëntë vetë në një qendër tregtare në Mynih vitin e kaluar, përpara se të vriste veten. Autoritetet nuk besojnë se sulmi kishte motive ideologjike, por të dhëna të reja e kundërshtojnë këtë.

https://p.dw.com/p/2lCbd
Nach Amoklauf am Olympia Einkaufszentrum in München Trauer
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/J. Meyer

Në dallim nga rezultatet e punës së policisë, një panel ekspertësh i angazhuar nga qyteti i Mynihut arriti në përfundimin se David S. ka qenë i motivuar nga ideologji ekstremiste e djathtë, kur hapi zjarr dhe vrau nëntë vetë në një qendër tregtare në Bavari.

Autoritetet vitin e kaluar e kategorizuan incidentin më tepër si tërbim, se sa një sulm i qëllimshëm. Zyra e prokurorit publik shkroi se "nuk mund të supozohet se krimi kishte motive politike", kurse Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, e përshkroi David S. si një "hakmarrës të sëmurë psiqik", por jo "luftëtar terrorist".

Por, një panel ekspertësh të shkencave sociale i tha gazetës Süddeutsche Zeitung të martën se hetuesit zyrtarë i patën nënvlerësuar motivet raciste, dhe veçanërisht kundër migrantëve, duke mos mbajtur parasysh as që dorasi e kishte planifikuar me imtësi sulmin.

Migrantët ishin objektivi

Të nëntë personat që u vranë në sulmin e tij qenë migrantë. Në një kohë që David S. nuk i njihte personalisht viktimat, e dinte se do të ndeshej me persona me origjinë migranti në qendrën tregtare të Mynihut, thanë ekspertët.

Ekspertët gjetën edhe që David S. kishte shkruar një si manifest, në të cilin ai betohej se do të ekzekutonte "qënie inferiore të huaja" për të mbrojtur Gjermaninë nga "infiltrimi i huaj".

Koha e sulmit qe e rëndësishme për të krijuar lidhjen me ekstremin e djathtë. David S. i kreu vrasjet në përvjetorin e vrasjes në vitin 2011 të 77 vetëve, kryesisht fëmijë, nga ekstremisti i djathtë Anders Behring Breivik.

Paneli arriti në përfundimin se origjina iraniane e David S. nuk i kish ndaluar te ai ndjenjat raciste ndaj migrantëve. Në fakt, dukej se dorasi donte ta tregonte veten si "gjerman të vërtetë", duke degraduar dhe vrarë gjermanë jo etnikë. Të dhënat e panelit pritet të ekspozohen në bashkinë e Mynihut të premten.